Berisha voton për Këshillin Kombëtar: Treni i Rithemelimit nuk ndalet, është shpëtimi i Shqipërisë

Përditësuar më: 30/4/2022, ora 17:54
30 PRILL 2022 BERISHA VOTIMI 2 frame 29529 1280x720

Berisha voton për Këshillin Kombëtar: Treni i Rithemelimit nuk ndalet, është shpëtimi i Shqipërisë

Përditësuar më: 30/4/2022, ora 17:54

Pas votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha iu bëri edhe njëherë thirrje deputetëve dhe anëtarëve të PD të cilët nuk ishin pjesë e Kuvendit që të bashkohen.

Berisha deklaroi se të gjithë janë të mirëpritur në PD, duke shtuar se treni i Rithemelimit është shpëtimi i Shqipërisë.

“Ky ishte kuvend i bashkimit. Sot në sallë ishin me qindra delegatë. Në lista ka dhjetëra të propozuar për anëtarë të Këshillit Kombëtar nga ata demokratë që para 6 marsit qëndruan në një pozicion tjetër. Përqendrimi im ishte bashkimi i bazës. Ju i shihni xhirot e ish kryetarit për të parë se sa e bashkuar është baza. Një pjesë e deputetëve ishin këtu, një pjesë tjetër jo. Por ky tren nuk mund të ndalet kurrë. Ky është një tren shpëtimtar i Shqipërisë. Kushdo që do t’i bashkohet trenit është i mirëpritur. Por ata që duan të qëndrojnë në pozicionin e tyre kanë bërë zgjedhjen e tyre”, tha Berisha.

Më tej, ish-kryeministri shpjegoi se në listën e kandidatëve për anëtar të rinj të Këshilli Kombëtar ka themelues të PD, por edhe anëtarë të rinj të cilët po zgjidhen sipas parimit një anëtar një votë.

Berisha premtoi se ky parim, kur PD të vijë në pushtet, do të promovohet në mbarë shoqërinë shqiptare.

“Ju po asistoni në procesin e votimit të Këshillit Kombëtar i cili në përbërje ka nga themeluesit e ditëve të para, tek anëtarët më të rinj të saj. Gjenden militantë dhe veprimtarë të pamposhtur të PD, por gjenden dhe intelektualë të shquar të bashkuar me PD, me qëllimin më të mirë, rikthimin e kësaj force në forcë fitimtare. Ky proces shënon dhe përfundimin e punimeve të Kuvendit me sukses të plotë. Siç theksova dhe në fjalën time, ky Kuvend mund të quhet kuvendi i përfundimit të kryetarokracisë dhe presidencokracisë. Ky kuvend vendosi në piedestal një elitë të re përfaqësuese në drejtimin e PD, e tëra e zgjedhur me modelin një anëtar një votë, e tëra në përputhje me Kushtetutën tonë të lirisë, të gjithë të propozuar nga anëtarësia. Vendosja e këtij modeli në përfaqësim mendoj se ka një rëndësi të madhe që anëtarët e PD të ndjehen të përfaqësuar, por edhe që të zgjedhur të ndjehen të detyruar ndaj zgjedhësve. Këtë model do ta promovojmë në mbarë shoqërinë shqiptare”, përfundoi Berisha.