Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Serbia tregon muskujt, Vuçiç krenar për armët e blera nga Kina dhe dhuratat e Rusisë

Nga A2 CNN
30 Prill 2022, 19:43 | Ballkani

Aleksandër Vuçiç u shfaq krenar sot para popullit të tij, në një paradë të organizuar në fushën ushtarake Batajnica, shumë pranë Beogradit, ku mediat dhe qytetarët u ftuan të ishin dëshmitarë, të asaj që është tashmë krenaria e kreut të shtetit serb; forcat ajrore.

Dhe për të, këto nuk janë lodra apo një mënyrë argëtimi në fundjavë, por janë raketa ajrore dhe pajisje të tjera të rënda ushtarake, të blera javët e fundit nga Kina, por më herët edhe nga Rusia. Mes tyre spikasin helikopterët Airbus, dronët e ushtrisë kineze dhe avionët rusë Mig-29.

Serbia po përpiqet të balancojë partneritetin e saj me NATO-n dhe aspiratat për t’ju bashkuar Bashkimit Europian nga njëra anë dhe partneritetit shekullor përmes besimit, etnicitetit dhe aleancës politike me Rusinë në anën tjetër.

Pasi ndoqi me kuriozitet paradën dhe prezantimin e blerjeve ushtarake nga Kina dhe Rusia, Vuçiç nuk mund të mos ishte krenar për Serbinë që drejtonte sot.

“Jam krenar për ushtrinë serbe, jam krenar për progresin e jashtëzakonshëm dhe jam krenar për Serbinë tonë sepse kur kam ardhur këtu për herë të parë në 2013, nuk kishim asgjë për ta ngritur në ajër”, tha presidenti.

Ushtria serbe bazohet kryesisht tek teknologjia e vjetër sovjetike dhe Rusia ende sot është një nga furnizuesit e saj më të mëdhenj me armë.

“Po konsiderojmë sot atë që njihet si aviacioni luftues-bombardues dhe do të marrim shumë shpejt një vendim. Do të fuqizojmë konsiderueshëm forcën tonë ajrore, njësoj si sot nuk kemi asnjë pengesë politike. Serbia është një vend neutral dhe Serbia do duhet të gjejë zgjidhje, për të ruajtur qiellin dhe shtetin e saj”, shtoi Vuçiç.

Vuçiç tha se Serbia do të blejë brenda këtij viti, 12 avionë luftarakë “Rafaele” nga Franca e 12 të tjerë nga Britania, një lëvizje që shihet nga analistët politikë si një shenjë se Beogradi po distancon veten nga Rusia. 

https://a2news.com/video/serbia-tregon-muskujt-vucic-krenar-per-armet-e-blera-nga-kina-dhe-dhuratat-e-rusise/

A2 CNN Livestream

Dita jonë