Festa e Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët: Lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë

Përditësuar më: 1/5/2022, ora 12:44

Festa e Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman uron besimtarët: Lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë

Përditësuar më: 1/5/2022, ora 12:44

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e hënë, më 02 maj 2022, në orën 06:20 në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë. Pas një muaji agjërim besimtarët myslimanë do të festohet Bajrami i Madh dhe kreu i Kominiteti Mysliman Bujar Spahiu ka drejtuar një urim për të gjithë këta besimtarë, ndërsa përcolli mesazhin e paqes dhe stabilitetit për vendin tonë.

Mesazhi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër!

Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.

Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin.

Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.

Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!

Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë.

Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.

Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.

I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare).

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.”

E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.

E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore.

E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.

Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha.

E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.

Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!

Programi i KMSH për Bajramin e Madh

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Fitër Bajrami do të falet ditën e hënë, më 02 maj 2022, në orën 06:20 në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë.

Programi fillon në orën 05:50 dhe mbaron në orën 06:30.

Programi i plotë i Fitër Bajramit:

05:50 – Hapja

05:55 – Lexim Kurani nga Besmir Krruta 

06:00 – Fjala përshëndetëse e kryetarit të KMSh-së, h. Bujar Spahiu

06:10 – Ligjëratë nga nënkryetari i KMSh-së, z. Taulant Bica

06:20 – Falja e Namazit të Bajramit, prin kryetari i KMSh-së, z. Spahiu

06:25 – Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli