Vijon dueli milanez në Serie A, por janë fitore me “drithërima”  

Përditësuar më: 1/5/2022, ora 20:27
Milan inter 1280x720

Vijon dueli milanez në Serie A, por janë fitore me “drithërima”  

Përditësuar më: 1/5/2022, ora 20:27

Milan dhe Inter fitojnë duke i dhuruar Serie A edhe një javë tjetër plot pikëpyetje mbi kampionin e këtij sezoni.

Milani bëri detyrën kundër Fiorentinës, në një ndeshje ku kuqezinjtë, të shtyrë në San Siro nga një publik entuziast, patën raste të shumta të shpërdoruara, dhe që u zhbllokua vetëm në minutat e fundit falë një gabimi trashanik të portierit fiorentin Terracciano, që ”pasoi” topin drejt sulmuesit Leao, që përfiton maksimalisht.

Në Udine, Interi harron për momentin shansin e humbur në Bolonja duke fituar në fushën e vështirë të Udineses, e cila kishte fituar pikërisht me Fiorentinën 0-4 në transfertë javën e kaluar.

Por zikaltrit rrezikuan të përjetonin sërish makthin e javës së kaluar. Serish në avantazh falë kroatit Perisic, zikaltrit kontrollojnë lojën duke dyfishuar falë një penalltie fillimisht të gabuar nga Lautaro Martinez.

Por në finale, Udinese shkurton rezultatin me Pussetto dhe krijon probleme të shumta, por kësaj radhe kampionë të Italisë marrin tre pikët, duke u renditur 2 pikë pas Milanit por edhe duke blinduar vendin e dytë.

Ndërkohë, fitorja e Napolit ditën e djeshme dhe e sotshmja e Juventusit me rezultatin 2-1 ndaj Venecias, zyrtarizon për 4 vendet e para aksesin në Champions.