Fitër Bajrami në Kosovë, besimtarët luten për paqe e dashuri dhe jo konflikte

Përditësuar më: 2/5/2022, ora 10:22

Fitër Bajrami në Kosovë, besimtarët luten për paqe e dashuri dhe jo konflikte

Përditësuar më: 2/5/2022, ora 10:22

Besimtarët myslimanë në Kosovë kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit, pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit.

Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u dhanë mesazhe për paqe, dashuri, unitet dhe solidaritet. 

“Festa e Fitër Bajramit na bashkon në xhami, me ibadet, falje e lutje drejtuar krijuesi ttë gjithësisë. Na bashkon me familje, me farefisin, me miqësinë, me vizita të ndërsjella duke uruar dhe përgëzuar, si dhe duke kujtuar ata që kanë shkuar para nesh nga kjo dynja”.

Gjithashtu janë bërë lutje që në vatrat e krizave nëpër botë të ndalen luftërat e konfliktet.

“Kur ne sot po festojmë të lirë Fiter Bajramin, kur ne po shijojmë mirësitë e kësaj feste, në shumë vende të botës, kemi konflikte, luftëra e gjakderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, dëbime e vrasje e shkatërrime. Nuk është ky misioni i njeriut në këtë botë, nuk është ky misioni ynë në këtë jetë. Kështu nuk na mësojnë librat e Zotit, e nuk na kanë ligjëruar kështu aspejgamerët e tij. Në këtë ditë të madhe nga ky vend, lutemi që në vatrat e krizës të ndalen luftërat e konfliktet, lutemi që në ato vende të vendoset paqja e qetësia, lutemi që të mos preken pleqtë, fëmijët të pafajshëm. Paqe e dashuri për të gjithë, e jo konflikte, urrejtje e mosdurim”, u shpreh Naim Tërnave.

Tërnava tha se Festa e Fitër Bajramit bart mesazhin më të mirë për kultivimin e dashurisë për pasardhësit.

“E kultivon dashurinë respektin e nipërve e mbesave për gjyshërit dhe anasjelltas, e kultivon respektin dhe kujdesin e prindërve për fëmijët, kultivon mbështetjen e solidaritetin për ata që kanë nevojë. Po ashtu, Festa e Fitër Bajramit e bashkon komunitetin e duke nxitur e kultivuar ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancën, harmonisë, respektin e bujarinë, vlera këto që e fisnikërojnë individin e shoqërinë mbarë”, përfundoi Tërnava.