S’bind përgjimi “po pikon çatia” për “shtëpinë e barit”, lirohen 5 nga 6 të arrestuarit

Përditësuar më: 2/5/2022, ora 14:22

S’bind përgjimi “po pikon çatia” për “shtëpinë e barit”, lirohen 5 nga 6 të arrestuarit

Përditësuar më: 2/5/2022, ora 14:22

Gjykata e Tiranës mbajti në qeli vetëm një nga gjashtë personat e arrestuar pas zbulimit të një banese brenda së cilës kultivohej kanabis në zonën e Kasharit në kryeqytet.

Me vendim gjykate në burg mbeti Ylli Sulaj, i dyshuar si krijuesi i “shtëpisë së barit”. Në përballjen me gjyqtarin Artan Gjermëni, ai pranoi të kishte kultivuar bimë në katin e dytë e të tretë të banesë 4-katëshe në Kashar ku jetonin nëna dhe motra e tij, por i përjashtoi ato nga kjo veprimtari.

I njëjti fakt u pohua edhe nga dy gratë, që thanë se punonin me orë të gjata në një fasoneri dhe s’dinin ç’kishte bërë familjari i tyre në katet e sipërme të vilës.

Për nënën 69 vjeçare të Ylli Sulajt, Xhevrie Sulaj gjykata caktoi masën e “arrestit në shtëpi”, ndërsa për motrën Shqipe Sulaj “detyrim për paraqitje”. Provat e paraqitura nga prokuroria nuk mjaftuan për tre të arrestuarit e tjerë, Luan Sulaj, kushëri i Ylli Sulajt  dhe dy punonjësit e OSHEE, Lufti Basha dhe Rifat Kuçi.

Gjykata e cilësoi të paligjshëm arrestimin dhe nuk caktoi masë sigurie për ta. Dyshimet ndaj Luan Sulajt ishin ngritur pas përgjimit të bisedë të koduar telefonike mes tij e Ylli Sulajt në momentin e ndërhyrjes së policisë. Për shkak se banonte aty pranë, Ylli Sulak i ka thënë në telefon “shko pak nga shtëpia, se po pikon çatia”.

Tre anëtarë të familjes Sulaj dhe i afërmi i tyre, si edhe dy punonjësit e OSHEE u arrestuan të premten nga operacioni i koduar “Drug house”. Në banesën e familjes Sulaj u sekuestruan 253 bimë narkotike të mbjella në vazo, si edhe llambat elektrike e pajisje të tjera për një serë kanabisi.