Dita e 69 e luftës në Ukrainë, Rusia bombardon uzinën e çelikut në Mariupol dhe Odesën

Përditësuar më: 3/5/2022, ora 11:35

Dita e 69 e luftës në Ukrainë, Rusia bombardon uzinën e çelikut në Mariupol dhe Odesën

Përditësuar më: 3/5/2022, ora 11:35

Dita e 69 e luftës së Rusisë në Ukrainë nisi me sirenat e luftës. Ato u dëgjuan në disa qytete në lindje të vendit. Ushtria ruse bombardoi uzinën e çelikut në Mariupol, aty ku thuhet se mbi 200 civilë kanë mbetur ende të bllokuar.

“Shpresoj se do të ketë një raund tjetër dhe ata civilë që mbeten ende në territorin e uzinës të largohen. Bëhet fjalë për rreth 20 fëmijë, numëruam dhe qindra të rritur të tjerë, gra dhe të moshuar. Ne duhet të bëjmë një lloj operacioni shpëtimi sepse njerëzit janë nën rrënoja. I dëgjojmë duke folur por nuk mund t’i ngremë ato pllaka. Përveç kësaj, ne po planifikojmë të shkatërrojmë bunkerët, hyrja e të cilëve është e bllokuar, por gjatë gjithë natës jemi qëlluar me artileri nga deti dhe toka. Aviacioni rus ka punuar gjithë kohën duke hedhur bomba”, u shpreh Sviatoslav Palamar, zv.komandant i Regjimentit Azov

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se po bëhet gjithçka e mundur për të shpëtuar civilët nga Mariupoli dhe se shpreson që operacionet e evakuimit të zhvillohen edhe gjatë ditës së sotme. Banorët rrëfejnë me pikëllim atë që po përjetojnë që prej 24 shkurtit.

Bombardime ka pasur edhe në rajonin e Zaporizhzhia, aty ku Moska po tenton të krijojë një rrjet mbështetjeje logjistike për trupate saj. Ndërsa në jug të Ukrainës, konfirmohet synimi i ushtrisë ruse për të marrë kontrollin e Odesës. Një sulm raketor në qytetin port shënjestroi një konvikt, ku u vra një 13-vjeçar, dhe një tjetër adoleshente mbeti e plagosur.

Kombet e Bashkuara bën të ditur se mbi 3 mijë civilë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së luftës nga Rusia. Ndërsa Kievi konfirmoi se 220 fëmijë kanë humbur jetën që prej 24 shkurtit.

Ushtria ukrainase pretendon se ka rrëzuar tetë dronë ruse, një prej tyre me vlerë 7 milionë dollarë. Zelensky konfirmoi se forcat e tij nuk po kryejnë sulme në territorin e Rusisë.

Ndërsa qeveria e Kievit lëshoi një akuzë të rëndë në drejtim të Hungarisë. Shefi i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës tha se kryeministri Viktor Orban ishte informuar nga vetë Putin më 1 shkurt gjatë vizitës në Moskë për synimet e Rusisë për të pushtuar Ukrainën.