Zelensky flet në Parlamentin shqiptar: Mbyllni portet për anijet dhe turistët rusë

Përditësuar më: 3/5/2022, ora 13:30

Zelensky flet në Parlamentin shqiptar: Mbyllni portet për anijet dhe turistët rusë

Përditësuar më: 3/5/2022, ora 13:30

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim këtë të martë në Kuvendin e Shqipërisë përmes një video-mesazhi me ligjvënësit shqiptarë.

Lideri ukrainas foli për situatën në vend dhe nevojën për më shumë mbështetje humanitare dhe armatime për të cilat ka nevojë ushtria në përballimin e sulmeve ruse.

“Dje, myslimanët festuan Bajramin. Ju uroj për këtë festë. Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tonë në një rrezik vdekjeprurës. Në qytetin e Odesës, një 14-vjeçar ka humbur jetën. Çdo ditë, ukrainasit humbasin fëmijët e tyre. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren që u vra nga një raketë ruse. Në Khrakiv, një e pesta e të gjitha shtëpive është shkatërruar tashmë. Shpesh pushtuesit nuk lejojnë as të varrosim të vrarët. Faleminderit për hapat konkrete që keni bërë për Ukrainën”.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, i bëri thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë në vendin tonë këtë verë.

“Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, ju kërkoj të kufizoni ardhjen e turistëve. Ju nuk mund ta dini se kush mund të vijë te ju për të pushuar, mund të jetë një vrasës i Bucha-s ose xhelati i Mariupolit”, tha Zelensky.

Më herët gjatë një konference për shtyp me gazetarët, kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë do t’i hapë derën të gjithë turistëve të huaj, përfshirë dhe ata rusë. Madje nga 1 maji, ka hyrë në fuqi dhe masa që lejon të gjithë qytetarët rusë që të hyjnë në vendin tonë pa viza.