Parashikimi i Bankës Botërore: Rritja këtë vit 3,2%, çmimet do prekin shumicën e familjeve

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 13:16

Parashikimi i Bankës Botërore: Rritja këtë vit 3,2%, çmimet do prekin shumicën e familjeve

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 13:16

Rritja ekonomike do të ulet në 3,2% këtë vit, me kushtin nëse çmimet do të zbuten brenda këtyre javëve dhe nëse lufta në Ukrainë nuk zgjat. Banka Botërore vlerëson në raportin e pranverës për Ballkanin Perëndimor, se rreziqet për ekonominë e Shqipërisë janë shtuar gjatë kësaj periudhe.

Edhe pse vitin e shkuar, rritja qe më e madhe se parashikimi, duke kapërcyer edhe dëmin që shkaktoi pandemia. Por në tregun e punës rezultojnë 16,800 persona më pak se para Covid-19.

Inflacioni shihet si problemi më i madh i vitit, i dyfishuar veçanërisht për mallrat e shportës ushqimore.

“Kjo do të prekë pjesën më të madhe të familjeve në vend pasi shpenzimet për ushqim përbëjnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve totale për konsum për një familje të mesme”.

Një rrezik të madh sipas BB përbën edhe borxhi publik i lartë. “Hapësira fiskale mund  të përkeqësohet akoma më shumë sipas një  skenari negativ, ku lufta vazhdon për një periudhë të zgjatur duke çuar në ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të BE-së dhe si rrjedhojë në rënie të eksporteve shqiptare drejt partnerëve më të rëndësishëm tregtarë në BE që përbëjnë 60 për qind të eksporteve të saj. Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje  të raportit të borxhit ndaj PBB-së”.

Ashtu si rekomandimet e vazhdueshme të Fondit Monetar, edhe Banka Botërore thekson nevojën për të rritur mbledhjen e të ardhurave nga taksat.