Kodi etik për ministrat, “qeveria ka frikë nga rebelimi popullor për shkak të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve”

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 21:47
4 MAJ A2 BUSINESS P1 frame 12780 1280x720

Kodi etik për ministrat, “qeveria ka frikë nga rebelimi popullor për shkak të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve”

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 21:47

Qeveria ka frikë nga rebelimi popullor për shkak të hendekut të madh mes të pasurve dhe të varfërve dhe prandaj ka nxjerrë me emergjencë kodin etik për ta shmangur këtë. Këtë arsyetim dha në studion e A2 Business gazetari Gjergj Erebara, sipas të cilit anëtarët e qeverisë janë shumë të pasur përballë qytetarëve. Ai e cilëson këtë një ndërhyrje kozmetike për të shmangur edhe vetingun e tyre, ku shumica e ministrave dhe vetë kryeministri do të ngelnin në klasë.

“Qeveria ka problem me imazhin e vet dhe hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Ka frikë nga një revolucion popullor, nga një rebelim popullor që përfundon me zjarrvënie dhe për t’u përballur me këtë rrezik ka bërë ca ndërhyrje kozmetike për të shmangur këtë hendek mes të pasurve dhe të varfërve. Qeveria është e pasur, anëtarët e kabinetit janë shumë të pasur dhe shumica e tyre dështojnë në testin logjik që bëhet për gjyqtarët dhe prokurorët, shumica do ngelte në klasë përfshirë dhe kryeministrin vetë. Duke pasur parasysh këtë imazh përpiqet të bëjë ndërhyrje kozmetike për të shmangur këtë pjesë”.

Sipas Erebarës vendi është i rrezikuar nga përplasjet sociale dhe qeveria në vend që të trajtojë pabarazinë dhe problemin real, lustron imazhin.

“Problemi i qeverisë është se pabarazia në Shqipëri është në rritje dhe sikleti i elitës është në rritje dhe vendi është i rrezikuar nga përplasjet e mundshme sociale. Para disa vitesh pati djegie në Rrugën e Kombit dhe rreziku është real dhe ndërhyrja është të trajtohet pabarazia dhe jo imazhi por duke qenë që qeveria nuk ka guximin të përballet me problemin real por i fut një lustër”.

Për Erebarën “kodi udhëzon njerëzit për marrëdhëniet në punë si në rastin e marrëdhënieve me jashtë, trajtimin e konfliktit të interesit dhe ngacmimeve seksuale në punë. Këto janë probleme reale që mund të trajtohet nga një kod etike”.

Danaj: Lëvizje për t’u hedhur hi syve qytetarëve

Në të njëjtën linjë edhe eksperti Vjodi Danaj theksoi se qeveria pretendon të bëjë sot një zgjidhje sipërfaqësore të problemeve reale të korrupsionit, duke u hedhur hi syve qytetarëve. Sipas tij Kodi etik nuk do t’i ndalojë takimet e ministrave m e biznesmenët

“Qeveria pretendon të bëjë sot një zgjidhje sipërfaqësore të këtyre problemeve. Unë e shoh të panevojshëm. Pse një ministër duhet të takojë një biznesmen. Kodin e shoh si dublikim të institucioneve dhe ligjeve që kemi. Kodi mund të ndërhyjë për veshjen e pozicionin publik, poe të transmetohet si diçka emergjente dhe do të shpëtojë ekonominë apo situatën politike më duket thjesht fasadë. Lëvizje për t’u hedhur hi syve qytetarëve. Ne kemi sot biznese të përfshira totalisht në korrupsion me qeverinë. Çdo ditë takoj anëtarë të kabinetit që takohen me biznesmenë të fuqishëm dhe kodi etik nuk besoj që do ta kufizojë. Ky kod nuk do të zgjidhë asgjë, por tërheq vëmendjen nga korrupsioni që është galopant”.

Çepani: Ka arrogancë dhe disbalancë mes rrogës së politikanit dhe standardit që i krijon vetes

Edhe për Edlira Çepanin, ky kod etik është një makijazh i tepërt që në këtë krizë që po kalon Shqipëria me politikanë jashtëzakonisht të pasur dhe biznesmenë që janë pjesë e kastës së korrupsionit. Ajo sjell në vëmendje arrogancën e qeverisë në sjellje dhe vendimmarrje.

“Më duket si historitë në komunizëm ku flitej për politikanët gju më gju me popullin dhe shikonin shtëpia përtej çdo luksi të imagjinueshëm jo vetëm ën atë kohë po edhe sot duket makijazh i tepërt. Kodi etik ekziston në gjithë botën, por është i ekzagjeruar. Ne jemi përballur me arrogancë në sjellje e vendimmarrje të politikanëve dhe në pamje. Kur shkojnë politikanët te njerëzit në nevojë me xhupa e kostume mijëra euro jo vetëm nga buxheti i tyre po i shteti është arrogance ndaj qytetarëve. Apo fatura të hoteleve. Kemi darkën te Nusreti, kemi 12mln euro transport për ministrat kur vendi vuan për bukën e gojës. Ose duhet ta luftojmë seriozisht pabarazinë ekonomike mes një kaste që është krijuar me politikanë jashtëzakonisht të pasur dhe biznesmenë që janë pjesë e kastës e korrupsionit të tyre ose këto makijazhe janë të pakuptimta veçanërisht në këtë krizë që po kalon Shqipëria”.

Ajo thekson se mungon vizioni për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.

“Investimi në formë dhe jo në përmbajtje. Ne nuk na mungojnë ligjet por vizioni për ta luftuar seriozisht nëse ne do të donim do të kishim një ndryshim serioz në Shqipëri dhe në mënyrën si duhet të perceptohet. Perceptimi ynë është që të gjithë bëjnë korrupsion. Nuk duhet kod etik për të kuptuar se ç’disbalancë ke me rrogën që merr si punonjës shteti dhe standardit që i krijon vetes. Nuk ka frikë nga ndëshkimi dhe ka arrogancë të jashtëzakonshme”.

Haxhi: Kodi Etik nuk është shkopi magjik që do të zgjidhë korrupsionin

Ndërsa ish-zëvendës ministri i Financave Elton Haxhi thekson se kodi etik nuk është shkopi magjik që do na zgjidhë korrupsionin apo problemet e qeverisë, por thotë se rregullon paraqitjen e e një institucioni apo titullari dhe nuk është gabim.

“Kodi Etik rregullon paraqitjen e një institucioni apo titullari dhe nuk më duket gabim që qeveria kujdeset të rregullojë dukjen se këtë qëllim ka. Duhet përshëndetur pastaj nëse ka efekt real apo jo është çështje tjetër. Nëse këta nuk marrin vendime që ndikohen nga biznesmenët se ai pavarësisht se nuk takohet gjen mënyra për të komunikuar dhe ndikohet por kodi rregullon paraqitjen për të mos dalë hapur”.

Ai pranon se zyrtarët takoheshin me biznesmenë.

“Që ka pasur takime të cilat rakordoheshin edhe kabinetet respektive apo paradhomat e zv. ministrave ka pasur dhe nuk kanë munguar, por kur digjesh nga qulli i fryn kosit. Këto janë masa në dukje, adreson paraqitjen apo dukjen e një institucioni nuk hyn në thelb. Për thelbin kemi ligjet. Një kujdes i tepruar nga ana e kryeministrit. Është kujdesur t’ua vërë në dukje dhe ta zyrtarizojë një kod etike dhe në gjykimin tim nuk ka asgjë të keqe. Nuk është kodi etik shkopi magjik që do na zgjidhë korrupsionin apo problemet e qeverisë. Nuk ka pse biznesi të takohet vetëm për vetëm me ministrin”.

Florjan Zekja: Të sqarohet mirë  pjesa e takimit të biznesmenëve me ministrat

Përfaqësuesi i biznesit Florjan Zekja thekson se në këtë kod etik duhet të sqarohet mirë  pjesa e takimit të biznesmenëve me ministrat

“Përsa i përket Kodit Etik është e ekzagjeruar se mbyllet me rregullore të brendshme të çdo dikasteri. Nëse ka një ministër të korruptuar duhet të merret SPAK, nëse luan bixhoz s’duhet të jetë fare aty. Ajo që më shqetëson është takimi me biznesmen. Ne kemi bërë takime orar e pa orar me ministrat, duhet të sqarohet mirë se është e pakuptueshme. Ne kemi shkuar me ministrat nga një biznes në tjetrin për të formuar paketën e manifakturave. Nëse një biznes është i prirur për korrupsion nuk është e vështirë të gjendet. Janë për t’u sqaruar pikat”.