“Krimea është e Ukrainës”, Zelensky: Synimi ynë është të rikthejmë integritetin territorial

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 13:01

“Krimea është e Ukrainës”, Zelensky: Synimi ynë është të rikthejmë integritetin territorial

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 13:01

Sirenat e luftës u dëgjuan sërish në perëndim të Ukrainës. Tre shpërthime të fuqishme u raportuan në Lviv, duke bërë që ky qytet të përjetonte ndërprerje të energjisë elektrike, pasi bombardimet goditën stacionet e shpërndarjes dhe depo karburanti.

Forcat ruse sulmuan dhe 6 stacione trenash në Ukrainën qendrore dhe perëndimore. Presidenti i hekurudhave të Ukrainës, Alexander Kamyshin, njoftoi se nuk janë sinjalizuar viktima apo të plagosur nga këto bombardime, ndonëse dëmet materiale janë të mëdha.

Luftimet janë intensifikuar në lindje, ku ushtria ruse duket se po bën shtysën finale për të marrë kontrollin e rripit të tokës që lidh Donbasin me Krimenë e aneksuar. Në 24 orët e fundit, trupat e Vladimir Putin lëshuan 34 sulme raketore kundër qyteteve në rajonin e Luhansk. 12 prej tyre u zmbrapsën nga forcat ukrainase.

Betejë e ashpër raportohet dhe në Mariupol, ku ushtria e Moskës po bombardon dhe sulmon zonën e fundit të rezistencës, metalurgjikun Azovstal. Qyteti port u vizitua nga zyrtari i lartë pro rus, Denis Pushilin, lideri i rajonit separatist të Donetsk. Vizita është shenja e parë e madhe e rusifikimit të afërt të Mariupolit.

Gjatë kësaj të mërkure janë planifikuar katër korridore evakuimi, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky, tha se nga metalurgjiku i Mariupolit u shpëtuan 156 civilë.

“Sigurisht ne do të vijojmë të bëjmë gjithçka që të nxjerrim të gjithë njerëzit tanë jashtë Mariupolit dhe Azovstal. Është e vështirë, por duhet të kujdesemi për të gjithë ata që janë atje, civilë dhe ushtarë”, tha Zelensky.

Guvernatori ukrainas i Donetsk konfirmoi se disa autobusë me civilë janë larguar dhe sot nga Mariupoli i rrënuar nga lufta e Rusisë. Ndërsa presidenti Zelensky zbuloi se qëllimi i Ukrainës është të rivendosë integritetin e saj territorial, duke përfshirë Krimenë. Deklaratën e bëri duke folur virtualisht në një event të Wall Street Journal.