Leksionet nuk u mësuan, shqiptarët nuk sigurojnë as pas tërmetit dhe pandemisë

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 15:21

Leksionet nuk u mësuan, shqiptarët nuk sigurojnë as pas tërmetit dhe pandemisë

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 15:21

Shqiptarët nuk kanë mësuar nga katastrofat dhe krizat dhe vazhdojnë të sigurojnë pronat dhe jetën e tyre, vetëm kur janë të detyruar.

Edhe pas valës së  tërmetit dhe pandemisë, shqiptarët po paguajnë vetëm për sigurimet e detyrueshme, si ato që i dikton banka kur duhet të marrin kredi, apo ato që dikton shteti kur përdorin një automjet.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për tremujorin e parë të 2022 vlera për kontratat e sigurimeve është rritur me 241 milionë lekë duke arritur shifrën e rreth 4.2 miliardë lekëve, ku peshën më të madhe e zënë sigurimet për mjetet e transportit dhe pronat.

Tregu i sigurimeve për jetën e debitorit ka patur një rritje të lehtë nga 204 milionë lekë për vitin 2021 në rreth 240 milionë lekë në vitin 2022, rritje rreth 16%. Ndërkohë shqiptarët ende nuk e vlerësojnë si të rëndësishëm sigurimin e pronës për të kontribuar vullnetarisht në sigurimin afatgjatë të saj. Kjo reflektohet dhe në të dhënat për sigurimin ndaj fenomeneve natyrore dhe zjarrit me rënie mbi 15%.

Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten dominuese, me 70% të tregut. Nga 2,2 miliardë për vitin 2021 në 2,5 miliardë për 2022. Rritja më e lartë u regjistrua në produktin e kartonit jeshil, me rikthimin e lëvizjeve të shqiptarëve jashtë kufijve të vendit me automjetin e tyre. Ndërsa edhe produkti me peshën më të lartë në treg, sigurimi i brendshëm motorik regjistroi një rritje si në vlerë, ashtu edhe në numër kontratash.