Rusia shënjestron NATO-n dhe pretendon kontrollin e Mariupolit

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 15:27

Rusia shënjestron NATO-n dhe pretendon kontrollin e Mariupolit

Përditësuar më: 4/5/2022, ora 15:27

Mariupoli ka rënë dhe është nën kontrollin e ushtrisë ruse. Pretendimi vjen nga ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu, i cili hodhi poshtë raportimet se ushtria e tij po sulmon ashpër zonën e fundit të rezistencës, metalurgjikun Azovstal. Madje pretendoi se i ka ofruar civilëve dhe ushtarëve ukrainas një kalim të sigurt dhe trajtim të denjë nëse dorëzojnë armët. Shoigu njoftoi se forcat ruse po zgjerojnë kontrollin në Luhansk dhe Donetsk, ndërsa lëshoi një kërcënim të drejtpërdrejtë për perëndimin.

“SHBA dhe aleatët e saj në NATO vazhdojnë të pompojnë armë në Ukrainë. Vërej se çdo mjet transporti i Aleancës së Atlantikut të Veriut që do mbërrijë në territorin e vendit me armë ose materiale për nevojat e forcave të armatosura ukrainase konsiderohet nga ne si një objektiv legjitim për shkatërrim”, tha Shoigu.

Për të provuar që kërcënimi është serioz, ushtria ruse intensifikoi bombardimet. Gjatë orëve të fundit janë sulmuar 6 stacione trenash në Ukrainën qendrore dhe perëndimore, ndërsa në Lviv u goditën stacione të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe depo karburanti.

“Armët me precizion të lartë me rreze të gjatë me bazë ajrore dhe detare shkatërruan gjashtë nënstacione elektrike në zonat e Podborce, Lviv, Volonets, Timkovo dhe stacionet hekurudhore P’yatykhatky (Pjatihatki), përmes të cilave grupi ukrainas i trupave në Donbas furnizohej me armë dhe municione të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane”, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes i Rusisë.

Ndërkohë, lufta në Ukrainë mund të zgjasë deri sa forcat ruse të arrijnë në kufi me Poloninë. Deklarata e fortë ka ardhur nga zëvendës presidenti i Dumës, Pjotr Tolstoj, nipi i shkrimtarit të njohur. “Synimi ynë është që të denazifikojmë dhe çmilitarizojmë Ukrainën deri sa ajo të mos përbëjë një kërcënim për Federatën Ruse”, u shpreh nënkryetari i parlamentit. Kremlini hodhi poshtë zërat se presidenti Putin po planifikonte t’i shpallte luftë Ukrainës më 9 maj, për të mobilizuar rezervistët dhe rekrutët e rinj. Ndërsa presidenti Zelensky zbuloi se qëllimi i Ukrainës është të rivendosë integritetin e saj territorial, duke përfshirë Krimenë.