Gjiknuri nga Elbasani: PS do ta bëjë vendin me President, Kushtetuta ia mundëson

Përditësuar më: 5/5/2022, ora 16:10

Gjiknuri nga Elbasani: PS do ta bëjë vendin me President, Kushtetuta ia mundëson

Përditësuar më: 5/5/2022, ora 16:10

Partia Socialiste do ta bëjë vendin me President, sepse Kushtetuta e mundëson një gjë të tillë. Kështu deklaroi nga Elbasani, Sekretari i Përgjithshëm socialist Damian Gjiknuri, kur u pyet nëse do të shkojnë pa emra në raundin e parë të negociatave. Sipas tij mjaftojnë 71 vota për zgjedhjen e Presidentit.  

“Këto janë mundësi kushtetuese, i ka parashikuar kushtetuta. Kështu që unë mendoj se pyetja nuk shton ndonjë vlerë më shumë nga ajo çfarë shkruhet në Kushtetutë. Natyrshëm, Partia Socialiste do ta bëjë vendin me President. Kushtetuta e mundëson një gjë të tillë. Mjaftojnë edhe 71 vota, nëse nuk ka konsensus të gjerë, ndaj jam i bindur se Partia Socialiste do t’i ofrojë presidencës dhe gjithë shqiptarëve një kandidaturë shumë të denjë për kreun e shtetit”.

Gjiknuri i u shpreh i bindur që opozita do të kontribuojë për të rënë dakord mbi një profil për presidentin e ardhshëm.

“Partia Socialiste ka filluar një proces konsultimesh dhe me opozitën. është një proces që sapo ka nisur. Ju e dini që dje u dakordësua një kalendar eventesh. Besoj se do të ulemi në tryezë për të diskutuar profilin e kandidatit më të përshtatshëm për President. Për aq kohë sa jemi në vigjilje të fillimit të negocimeve nuk do të ishte me vend që Partia Socialiste të dilte me kandidat të saj menjëherë. Mesa jam i informuar, unë nuk isha dje në atë tryezë, tryeza ka qenë publike palët kanë rënë dakord që të ulen. Ne si grup negociator jemi të gatshëm të ulemi me ta për të filluar procesin e diskutimit me përfaqësuesit e opozitës në Parlament. Nuk duam të dalim direkt me emra sepse e rëndësishme është që ne të biem dakord për një profil dhe jam i bindur se opozita mund të kontribuojë në këtë drejtim”.

I pyetur nëse pritet të ketë ndryshime në qeveri gjatë Asamblesë Socialiste, Gjiknuri u përgjigj: “Unë nuk e di të jetë diskutuar për ndryshime në qeveri. Kjo është një çështje që duhet pyesni kryeministrin. Kjo nuk është pyetje që duhet t’ja bëni Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste. Kështu që është një temë që nuk më intereson për momentin”.