Grupi demokrat ndahet në 3 pjesë, analistët: PD po shkon drejt ndarjes së plotë. Betejë mes së vjetrës dhe përfaqësimit të merituar

Përditësuar më: 5/5/2022, ora 21:12
5 MAJ DEBAT P1 CL frame 13193 1280x720

Grupi demokrat ndahet në 3 pjesë, analistët: PD po shkon drejt ndarjes së plotë. Betejë mes së vjetrës dhe përfaqësimit të merituar

Përditësuar më: 5/5/2022, ora 21:12

Asnjë surprizë, por ndarje të thellë të Partisë Demokratike shikon analisti Plator Nesturi, bazuar edhe në realitetin e sotëm ku munguan një pjesë e deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar të thirrur nga Enkelejd Alibeaj. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai tha se të dy palët në PD nuk lëshojnë pe dhe vetëm vendimi i gjykatës do të qartësojë situatën.

“Nuk ka asnjë surprizë ky skenari i sotëm, nuk njihet çështja e kreut të grupit parlamentar, por në Kuvend 35 deputetë nuk morën pjesë. PD-së i ka ngelur të ndajë me perde njërën dhe tjetrën, derisa të qartësohet situata nga gjykata, të dy palët nuk lëshojnë pe. Kemi të bëjmë me dy realitete që do të ndikojnë në të ardhmen. PD po shkon drejt ndarjes së plotë”.

Sipas Nesturit edhe lëvizja e Berishës nuk po jep rezultat dhe besueshmëri.

“Lëvizja e Berishës ishte e suksesshme për gabimet e Bashës, por nuk po jep rezultat dhe nuk ka krijuar besueshmëri pas dorëheqjes së Bashës. PD po shkon në fundin e rrjedhjes së vet lumore ku krijohet delta me degë të ndryshme të saj”.

Edhe Aleksandër Çipa nuk sheh asgjë të re në PD përkundër ndarjes dhe thellimit të krizës.

“Nuk shikoj ndarje të grupit parlamentar, por mbetje në pozicione të njohura dhe strategji të grupit anti rithemelim, ku jo të gjithë bëhen pjesëmarrës dhe një pjesë tjetër mban asnjanësinë ose këqyrjen e lëvizjeve të Rithemelimit. Ditët e ardhshme mbledhjet e grupit parlamentar të PD do të jenë të ndarë dhe në një krizë më të thellë”.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Alibeaj është njeriu i Ramës, Çipa e mohon këtë me arsyetimin e karrierës politike.

“Alibeaj nuk është njeriu i Ramës dhe nuk ka si të jetë, se nuk ka perspektivë politike, ajo që po ndodh është për shkak të përplasjes në PD që ka formësuar një krizë”.

Sipas tij beteja në PD është mes të vjetrës dhe përfaqësimeve të merituara.

“Mund të dalin kandidatura të tjera. Beteja mes të vjetrit dhe përfaqësimeve jo të stisura por të merituara në PD. Nëse nuk vijmë në qasjen për ndryshim themelues nuk mbyllet kriza e PD. Kjo është për t’u parë në ditët e afërta. Procesi po tejzgjatet”.

Por për analistin Sami Neza nuk është kjo ndarja reale e deputetëve të PD. Ai sjell në vëmendjen qëndrimin e grupit të rithemelimit sa i takon zgjedhjes së presidentit.

“Nuk është kjo ndarja reale e deputetëve të PD, pjesa që ka mbështetur rithemelimin është pjesa më e qartë dhe ne e dimë se çfarë aspiron. Janë dy probleme që lidhen me qëndrimin e PD-së për zgjedhjen e presidentit. Së pari rithemelimi nuk pranon që grupi parlamentar të mblidhet nga Alibeaj, e dyta se rithemelimi është kundër negocimit me Ramën për presidentin. Rithemelimi e konsideron procesin e zgjedhjes së presidenti demagogji ose shitje e emrit të presidentit si një emër konsensual”.