Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Reforma Territoriale, dështim apo hap përpara në dhënien e shërbimeve për qytetarët? Ekspertët përgjigjen në “Absolut 4”

Nga A2 CNN
5 Maj 2022, 22:31 | Aktualitet
Reforma Territoriale, dështim apo hap përpara në dhënien e

Reforma territoriale që ka hyrë në fuqi në 2015 ka ndryshuar në mënyrë domethënëse qeverisjen vendore në Shqipëri. Por ai ka arritur objektivat e veta, në veçanti përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas Enea Hotit, bashkëhartues në atë kohë i reformës,  i ftuar në ”Absolut 4”, “jemi në vitin e shtatë të reformës, që hyri në fuqi në 2015 me 61 bashkitë e reja. Mund të them se në shumicën e tyre objektivat janë arritur. Një nga objektivat kryesore ka qenë rritja e efiçencës së shërbimeve. Para reformës, 80% e buxhetit shkonin për pagat, për funksione që nuk i shërbenin qytetarit.

Sot që flasim, burimet janë rritur nga viti në vit, ndërkohë që shërbime si ai i parashkollorit janë rritur, shërbimi i decentralizuar ka po ashtu performanca në rritje.

Por Agron Haxhimali, i Shoqatës së Bashkive, ka dyshime, veçanërisht në pjesën e rimodelimit të administratës.  

“Reforma territoriale matet nga disa parametra. U propagandua se nga shtimi i administratës së mëparshme, që ishte në të vërtetë  e fryrë, do kurseheshin deri në 80 milionë euro. Por kur kishim 373 njësi të qeverisjes vendore, numri i punonjësve ishin rreth 23 mijë. Sot në 64 bashki kemi 34 mijë punonjës, 10 mijë më shumë, ku rreth 3 mijë i të cilëve ka ardhur nga transferimi i aseteve të bashkive, 7 mijë janë shtuar nga vetë bashkitë. Shkoni në njësitë administrative të sotme, janë serish të fryra shifrat”.

Per ish kreun e KQZ-së Kristaq Kume, duke u bazuar edhe tek një studim i Institutit për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve që drejton, “ajo që mbizotëron te qytetarët është fakti se pavarësisht se banojnë në zona rurale ose urbane, janë shumë të pakënaqur nga përfaqësimi në  Këshillin Bashkiak, nuk ndihen nuk i njohin përfaqësuesit. Mungesa e përfaqësimit krijon kushte jo nxitëse të ofrimit të shërbimeve, veçanërisht në bashkitë e mëdha, ndërkohë që ka një diferencë midis fshatit dhe qytetit”.

Sipas tij, “ niveli i parë i qeverisjes vendore pas atij bazë, pra ai rajonal, nuk është trajtuar fare nga reforma, dhe ka qenë vetëm burim punësimi për disa dhjetëra persona”.

Leart Kola, nga Instituti i studimeve social edhe humane,  mendon gjithsesi se pavarësisht mungesave, reforma ka qenë një përparësi. “Kritika ka patur nga qytetarët në çdo takim që është bërë mbi reformën, por kur i thua a ishte më mirë ashtu siç ishte, të thonë jo.  Hapi përpara ekziston dhe është i dukshëm. Reforma ka shtuar shanset e uljes së diferencave midis zonave rurale dhe ato urbane, por duhet ndërtuar një urë komunikimi midis këtyre dy aspekteve”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë