Integrimi, Rama: Shqipëria, peng i mosmarrëveshjes mes dy vendeve të tjera

Përditësuar më: 6/5/2022, ora 10:36

Integrimi, Rama: Shqipëria, peng i mosmarrëveshjes mes dy vendeve të tjera

Përditësuar më: 6/5/2022, ora 10:36

Kryeministri Edi Rama deklaroi edhe njëherë se procesi i integrimit në BE i Shqipërisë po mbahet peng si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve të tjera, një situatë që sipas tij vetëm unioni europian mund ta krijojë.

Gjatë konferencës së 18 kryetarëve të parlamenteve, në kuadër të nismës Adriatiko-Joniane që u mbajt në Tiranë, kreu i qeverisë deklaroi më tej se lufta në Ukrainë është një mësim i jashtëzakonshëm se si vetëm të bashkuar mund të shmangen kurthet e së shkuarës.

“Ajo që po ndodh sot në Europë, në Ukrainë është një mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që të ecim para drejt bashkëpunimit, paqes, që të shmangim kurthet e së shkuarës. Sa më thellë hyjmë në Ballkan aq më thellë janë ato. Kjo luftë është një mësim për të bërë çdo gjë për të forcuar bashkëpunimin, për të ndërtuar ura të reja ndërveprimi mes njerëzve, bashkësive të biznesit, artit dhe sigurisht mes shteteve. Është e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që ta bëjmë këtë bashkëpunim një vlerë të shtuar. Individualisht jemi më mirë nga çfarë ishim, por së bashku po humbasim shumë nga potenciali ynë. Jemi të vegjël në rajon që të kërkojmë një ndryshim që në periudhë të arsyeshme do t’i bëjë njerëzit tanë të ndihen të barabartë, por së bashku duke bashkuar forcat nuk jemi kaq të vegjël dhe hapësira që mund të krijojmë mund të jetë më tërheqëse për aktorët e mëdhenj që të na shohin si një tokë mundësish.

Të gjithë jemi në proces për t’u integruar në BE, i cili nuk është i lehtë. Ndërkohë që flasim Shqipëria është peng i një bllokimi midis fqinjit tonë RMV dhe vendit mik Bullgarisë. Është një situatë që vetëm BE e krijon e nuk ka libër e përvojë, shpjegim se si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i mosmarrëveshjeve të dy subjekteve të tjera. Kështu që duhet të ecim para dhe të mos humbim pasionin për Evropën”, tha Rama.