Salianji dhe Boçi kundër, Alibeaj insiston, pas dështimit me grupin tenton me kryesinë e vogël

Përditësuar më: 6/5/2022, ora 16:23

Salianji dhe Boçi kundër, Alibeaj insiston, pas dështimit me grupin tenton me kryesinë e vogël

Përditësuar më: 6/5/2022, ora 16:23

Pasi nuk arriti kuorumin për të realizuar mbledhjen e grupit pasditen e 5 majit, Enkelejd Alibeaj mblodhi kryesinë e grupit mëngjesin e së premtes, ku në praninë e 3 nga 5 anëtarëve vendosi që i njëjti takim të zhvillohet të premte, ndërsa të hënën e ardhshme të thirret Kryesia e partisë. 

N/kryetari Ervin Salianji, që nuk u paraqit në takimin e thirrur nga Alibeaj, e cilësoi atë si nul dhe tentativë për të përçarë partinë.

Akuzave iu përgjigj sekretari i grupit, Arbi Agalliu, i cili akuzoi Salianjin dhe Boçin për bojkot.

Nënkryetari tjetër i grupit parlamentar, Luciano Boçi, reagoi përmes një postimi në Facebook, ku shpjegon se Kryesia nuk përbëhet vetëm nga 5 anëtarë.

“As mbledhje nuk ka pasur dhe as takim konsultativ, përderisa ka nxitim për të vënë mungesa dhe për të krijuar sajesa. Sepse Kryesia e Grupit Parlamentar përbëhet nga kjo Kryesia e vogël, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve, nënkryetarët e partisë. Statuti e rregullorja e përcaktojnë qartë. Kryesia e vogël nuk merr vendime. Konsulton. Ajo është thjeshtë një pjesë e Kryesië. Vendimet i takojnë Kryesisë së grupit”, tha Boçi.

Boçi e cilësoi takimin e organizuar nga Alibeaj të premten paradite si tentativë për të ndjekur agjenda personale.