Bombat termonukleare në Sheshin e Kuq, Putin bën “provat gjenerale” për Ditën e Fitores

Përditësuar më: 7/5/2022, ora 13:58

Bombat termonukleare në Sheshin e Kuq, Putin bën “provat gjenerale” për Ditën e Fitores

Përditësuar më: 7/5/2022, ora 13:58

Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar dërgimin e bombave termonukleare në Sheshin e Kuq, për paradën e 9 majit, kur Rusia feston Ditën e Fitores kundër nazizmit në Luftën II Botërore. Kjo është një prej festave më popullore në Rusi, por këtë vit merr edhe më shumë kuptim për shkak të luftës në Ukrainë.

Nëse dikur Rusia luftonte pushtuesit nazistë, sot ajo akuzohet se ka pushtuar një shtet fqinj, duke u shndërruar në agresor. Putin e mohon këtë përcaktim, duke thënë se po kryen një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, për ta denazifikuar.

Të shtunën, në Sheshin e Kuq në Moskë, u krye një tjetër provë për paradën e 9 majit, ku spikati prania e armatimeve termonukleare, bomba bërthamore të teknologjisë së fundit, që quhen ndryshe edhe bomba me hidrogjen. Bomba u parakalua të shtunën nga një kamion ushtarak me 16 rrota. Arma, e cila është në gjendje të godasë nga një kontinent në tjetrin, peshon 49,6 tonë dhe mund të udhëtojë me një shpejtësi rreth 24500 km/h dhe të godasë objektivin deri në 12 mijë kilometra larg brenda pak minutash.

Pas raketës së frikshme, që hyn në gamën e armëve të shkatërrimit në masë, në prova u panë raketahedhëset Iskander-M, por edhe avionë të ndryshëm luftarakë dhe mjete të rënda, disa prej të cilave raportohet të jenë tërhequr nga Ukrainë, për të marrë pjesë në paradën e të hënës.

Në prova nuk munguan edhe ushtarët rusë, të gjithë të shfaqur të qeshur në fytyrë, teksa parakalonin përballë Kremlinit, ndërkohë që sipër kokave të tyre, 8 avionë MiG-29, formuan në ajër germën Z, të kthyer në simbol të luftës së Rusisë në Ukrainë.