Papa Françesku pret për herë të parë kreun e KMSH, Bujar Spahiu në Vatikan

Përditësuar më: 7/5/2022, ora 12:29

Papa Françesku pret për herë të parë kreun e KMSH, Bujar Spahiu në Vatikan

Përditësuar më: 7/5/2022, ora 12:29

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, vizitoi shtetin e Vatikanit, me ftesë të Papa Françeskut. Ai u prit në një audiencë të veçantë nga kreu i Vatikanit në një takimi kokë më kokë që zgjati për më shumë se 30 minuta.

Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën.

“Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm. Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor”, thuhet në njoftimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Mësohet se kryetari i KMSH-së gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.

Takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të KMSH-së. Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me zyrtarë të tjerë të lartë të Vatikanit. Kjo vizitë u iniciua nga Nunci Apostolik në Tiranë, z. Luigi Bonazzi.