Makinat elektrike, në Europë gjysma e tregut, në Shqipëri më pak se 3%

Përditësuar më: 8/5/2022, ora 16:41

Makinat elektrike, në Europë gjysma e tregut, në Shqipëri më pak se 3%

Përditësuar më: 8/5/2022, ora 16:41

Çmimet e larta të karburanteve po shërbejnë si një nxitje shtesë, krahas masave kufizuese të ndotjes, për të blerë një automjet elektrik. Këtë fillimvit, në Europë u regjistrua një rritje e fortë e shitjeve për mjetet elektrike me bateri apo ato hibride, në kurriz të mjeteve me naftë dhe benzinë.

Për tremujorin e parë, 44% e automjeteve të regjistruara i përkisnin kategorisë së gjelbër, duke kaluar benzinën që zë 36% dhe naftën me vetëm 16.8%.

Por në vendin tonë, pavarësisht dëshirës për të patur një mjet që nuk ndot dhe shpenzon ndjeshëm më pak, duket se automjetet elektrike janë ende shumë të shtrenjta për xhepat e shqiptarëve.

Të dhënat e Drejtorisë Publike të Shërbimeve të Transportit Rrugor, tregojnë se në periudhën Janar-Prill u regjistruan mbi 18,500 mjete, nga të cilat 15 mijë ishin autovetura. Naftë zë pjesën dërrmuese të regjistrimeve të reja, 11,293, ndjekur nga benzina me 2,363 autovetura dhe ato me impiant gazi 923. Ndërsa mjetet 100% elektrike ishin vetëm 158 dhe ato hibride elektrike ishin 246. Kështu, kjo kategori e gjelbër përbën vetëm 2.7% të regjistrimeve të reja të autoveturave kundrejt 44% në Europë.

Arsyeja kryesore ka të bëjë sigurisht me çmimin, pasi pjesa dërrmuese e mjeteve të regjistruara për herë të parë në vend janë mbi një dekadë të vjetra me vit prodhimi nga 2005 deri në vitin 2009.

Ndërsa mjetet e reja me 0 kilometra ishin vetëm 818, nga ku 345 të blera në koncesionarët vendas dhe 473 të ardhura nga importi.

Automjetet elektrike kanë një çmim më të lartë se veturat me karburant tradicional dhe shumë shtete të botës ofrojnë rimbursim në vlerën e disa mijëra eurove për blerjen e një mjeti të tillë. Në vendin tonë, prej vitit 2020 është hequr detyrimi i TVSH-së së importit në doganë për autoveturat e reja elektrike. Ndërsa DPSHTRR ka zeruar të gjitha tarifat e shërbimeve me vlerë 7,500 lekë.

Problem nga drejtuesit shihet edhe mungesa e infrastrukturës për pikat e karikimit të mjeteve elektrike.