NATO, kundër “tërheqjes” së Zelensky: Nuk e pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia

Përditësuar më: 8/5/2022, ora 11:26
jens stoltenberg 1080x720

NATO, kundër “tërheqjes” së Zelensky: Nuk e pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia

Përditësuar më: 8/5/2022, ora 11:26

NATO ka kundërshtuar menjëherë “tërheqjen” e presidentit ukrainas Zelensky rreth mundësisë për të hequr dorë nga Krimea që të arrihet marrëveshja e paqes me Rusinë.

“Vendet e NATO nuk do të pranojnë kurrë një aneksim të paligjshëm të Krimesë. Kemi shprehur kundërshtinë tonë gjithashtu dhe për kontrollin rusë në rajonin e Donbasit”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, gjatë një interviste për një media gjermane.

Stoltenberg shkoi dhe më tej, duke shtuar se Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë për të mbrojtur vendin e saj.

Reagimi vjen, pas deklaratës së presidentit Zelensky të premten, ku ai tha se Ukraina është e gatshme të arrijë një marrëveshje paqeje, nëse Rusia tërhiqet në pozicionet përpara 23 shkurtit, duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë që Kievi për momentin nuk do të kërkojë rikthimin e Krimesë, e aneksuar nga rusët në vitin 2014.