Vendimi vetëm në letër, ushqimet e pashëndetshme vijojnë t’u shiten fëmijëve në shkolla

Përditësuar më: 8/5/2022, ora 15:38

Vendimi vetëm në letër, ushqimet e pashëndetshme vijojnë t’u shiten fëmijëve në shkolla

Përditësuar më: 8/5/2022, ora 15:38

Në Shqipëri nuk mungojnë ligjet e as urdhëresat, por vullneti për t’i zbatuar ato. Ky urdhër i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe të Shëndetësisë, është shembull tipik se si shkelen dhe harrohen rregullat vetëm pak kohë pasi miratohen. 10 muaj më parë ministrja Evis Kushi dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, firmosen këtë urdhër që ndalonte njëherë e përgjithmonë konsumin e ushqimeve jo të shëndetshme në shkolla. Madje ministrja e Arsimit në daljet e saj për këtë teme, fliste me gjuhen e mjekeve.

Por ashtu siç pritej, zbatimi i këtij urdhri nuk zgjati shumë. Sot në shkolla situata është si para miratimit të rregullores. Fëmijët konsumojnë lirshëm të gjitha produktet jo të shëndetshme që tregtohen edhe pranë shkollave. Prindërit thonë se përpiqen t’i orientojnë nga ushqimet e shëndetshme, por jo gjithmonë ia dalin.

Ndërsa për shkollat, institucionet e ngarkuara për të ndaluar konsumimin e produkteve jo të shëndetshme, duket barrë e shtuar. Drejtuesit e këtyre institucioneve bëjnë sikur nuk shohin atë që ndodh çdo ditë në oborret e shkollave. Ndërsa mjekët vijojnë të kujtojnë veçanërisht prindërit, për dëmin që po u shkaktohet fëmijëve.

Mjekët kanë dhënë alarmin se një në tre fëmijë edhe në Shqipëri rrezikohet nga obeziteti dhe probleme te tjera shëndetësore. Ndërkohë, Ministria e Arsimit nuk vepron për ta mbajtur gjallë nismën që muaj më parë e shpalli sukses.