Kaos para Conference League, biletat e finales kushtojnë 800 euro

Përditësuar më: 9/5/2022, ora 16:39

Kaos para Conference League, biletat e finales kushtojnë 800 euro

Përditësuar më: 9/5/2022, ora 16:39

Finalja e parë në histori e Conference League ka ndezur entuziazmin e tifozëve. Mbështetësit e Romës, por edhe ata të Feyenoord presin prej dekadash të shohin skuadrat e tyre të fitojnë një trofe ndërkombëtar.

Edhe pse nuk mund të ketë lavdinë e Champions, finalja e25 majit në Tiranë është bërë eventi më i lakmuar, mbi të gjitha në Romë. Tifozët e kryeqytetit italian janë në një garë të ethshme për të siguruar biletat e duelit në Arenën Kombëtare.

Të gjithë mbështetësit verdhekuq kërkojnë të vijnë në Shqipëri, për të mbështetur skuadrën e tyre. Megjithatë, problemi lidhet me kapacitetin rreth 22 mijë vende të impiantit më modern në vendin tonë.

Këtë të martë, më 10 maj, UEFA do të hapë shitjen online të 10 mijë biletave. Duke qenë se ato nuk do të jenë të disponueshme në pikat e shitjes, ka nisur lufta për një vend në stadium. Shifrat që qarkullojnë në internet janë të frikshme. Sipas mediave italiane, një pjesë e 3500 biletave që klubi i Romës i ka shpërndarë tifozëve, tashmë shiten online me shifra astronomike.

Çmimi mesatar i biletave shkon në afro 800 euro, edhe pse ka raste kur dy bileta janë nxjerrë në shitje për shifrën e pabesueshme të 10 mijë eurove.

Kaosi përpara finales është krijuar edhe me akomodimin. Kërkesa e lartë për dhoma në hotele apo shtëpi, ka detyruar shumë prej strukturave të turizmit të anulojnë prenotimet e javëve të kaluara. Justifikimet e dhëna për klientët janë qesharake, teksa pak orë më pas, e njëjta dhomë bëhet e disponueshme me çmime që i afrohen 1 mijë euro nata. Entuziazmi për finalen e parë ndërkombëtare ne Tiranë është shfrytëzuar nga abuzuesit, për të shumëfishuar fitimet.