Sfidon Berishën më 22 maj, Elezi: Nuk pres vota nga elita oportuniste e partisë, por nga baza

Përditësuar më: 9/5/2022, ora 10:13

Sfidon Berishën më 22 maj, Elezi: Nuk pres vota nga elita oportuniste e partisë, por nga baza

Përditësuar më: 9/5/2022, ora 10:13

Ibsen Elezi është emri surprizë që do të sfidojë Sali Berishën në garën për kryetar të Partisë Demokratike, më 22 maj. Pavarësisht vlerësimeve se ai nuk ka fare shanse të fitojë përballë liderit historik të partisë, Elezi ka besim se mund t’ia dalë.

“Unë nuk erdha nga krahu i Berishës dhe po legjitimoj garën. Unë jam në oponencë të vazhdueshme, që në vitin 2014. Si mund të thonë që mos u fut në garë, mos u ballafaqo me një realitet që na prek të gjithëve. Sipas tyre duhet të rrimë të gjithë dhe të shohim? A do të mi vjedhë dot Albana votat apo jo? Do ta shohim në garë, unë do të bëjë çmos të mos mi vjedhin”, u shpreh ai në një intervistë për Ditarin në A2 CNN.

Sipas tij, Berisha ka mungesë qëndrueshmërie në linjën që ka mbajtur që nga nisja e Foltores dhe ai shpreson të marrë votat e personave që e duan partinë më shumë sesa duan Berishën apo Bashën.

“Në PD ka 3 grupime: Mbështetës të Berishës, mbështetës që Bashës, por që po veniten, por ka edhe demokratë që mendojnë se në themel është PD, dhe duan vazhdimësi. Ky grupim është më i madhi, përndryshe nuk do të kishte sens ekzistenca e PD. Unë mbështetjen e pres nga baza. Nuk pres mbështetje te elita e PD, të cilët janë oportunistë, shohin interesin e tyre”, tha Elezi.