“Ukraina të rindërtohet me paratë që u kemi marrë rusëve”

Përditësuar më: 9/5/2022, ora 09:12

“Ukraina të rindërtohet me paratë që u kemi marrë rusëve”

Përditësuar më: 9/5/2022, ora 09:12

Bashkimi Europian duhet të marrë në konsideratë ngrirjen e rezervave të Rusisë në valutë të huaj dhe të përdorë këto para për të riparuar dëmet e luftës në Ukrainë.

Kështu tha Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikat e Jashtme dhe Fqinjësinë e Mirë, në një intervistë për Financial Times.

“Do të isha shumë pro kësaj ideje, sepse është logjike”, tha Borrell. “I kemi paratë në xhepat tanë, dhe dikush duhet të më shpjegojë pse është e drejtë që të përdoren paratë afgane dhe jo ato ruse”, tha Borrell, duke iu referuar vendimit të Shteteve të Bashkuara për të ngrirë rreth 7 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore të Afganistanit, që do të përdoren për të dërguar ndihma në vendin ku tashmë kontrollin e kanë marrë Talebanët.

Deri tani, vendet perëndimore kanë ngrirë rreth 315 miliardë dollarë në valutë të huaj nga rezervat e Rusisë, si kundërpërgjigje për pushtimin e Ukrainës. Që prej 24 shkurtit, kur nisi edhe ndërhyrja ushtarake, zyrtarët europianë kanë debatuar nëse këto asete duhet të përdoren për të rindërtuar Ukrainën, infrastruktura e së cilës është shkatërruar ndjeshëm nga bombat ruse, por deri tani nuk është vendosur në tavolinë asnjë propozim zyrtar.