Bllokimi i eksporteve, Zelensky: Bota rrezikohet nga kriza ushqimore

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 14:48

Bllokimi i eksporteve, Zelensky: Bota rrezikohet nga kriza ushqimore

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 14:48

Masa urgjente për zhbllokimin e porteve, në mënyrë që t’i jepet fund bllokadës ruse ndaj eksporteve të grurit ukrainas. Kjo ishte thirrja e presidentit ukrainas, Volodimir Zelenensky, pas takimi me kreun e Këshillit Europian Charles Mishel, i cili vizitoi Odesën, një port i madh në Detin e Zi për eksportin e prodhimeve bujqësore.

Zelensky tha se kishin diskutuar për ndërmarrjen e hapave urgjent për të parandaluar një krizë globale ushqimore, të shkaktuar nga veprimet agresive të Rusisë.

“Për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Odesa nuk ka lëvizje të zakonshme të mallrave, apo punës në port. Pa eksportet tona bujqësore, dhjetëra vende në pjesë të ndryshme të botës po vuajnë mungesa ushqimore. Me kalimin e kohës situata mund të bëhet e tmerrshme. Është pasojë direkte e agresionit rus që mund të tejkalohet vetëm duke vepruar së bashku…duke shtuar presionin ndaj Rusisë dhe duke e detyruar të ndalë këtë luftë të turpshme”, u shpreh Zelensky.

Para luftës, Ukraina eksportonte 4.5 milion tonë prodhime bujqësore në muaj përmes porteve të saj, ndër të cilat 12 për qind të grurit botërore, 15 për qind të misrit dhe 50 për qind të vajit të lulediellit.

Por lufta ruse e ka reduktuar drastikisht kapacitetin eksportues; infrastruktura ukrainase është shkatërruar dhe porti kryesor i Odesës mbetet i bllokuar.

Ekonomia ukrainase pritet të tkurret me gati 1/3 gjatë këtij viti, sipas vlerësimeve të Bankës Europiane të Zhvillimit. Parashikimi është më i zymtë se ai që banka bëri në mars, kur vlerësoi një rënie prej 20 përqind.

Megjithatë ekspertët presin një hov prej 25 përqind në 2023-shin, ndërsa për Rusinë parashikojnë tkurrje me 10 përqind. Në mesazhin e tij të fundit Zelensky falënderoi Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Jo Biden riaktivizoi një ligj të epokës së luftës, që do të lehtësojë dërgimin e armëve në Ukrainë, nga SHBA-ja dhe aleatët europianë.