Bujqësia shqiptare në vështirësi, Vuksani: Zgjidhja jo me borde, por me mbështetje

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 10:52

Bujqësia shqiptare në vështirësi, Vuksani: Zgjidhja jo me borde, por me mbështetje

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 10:52

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizë në të gjithë botën sa i përket rritjes së ushqimeve. OKB-ja pak ditë më parë ka dhënë alarmin se 40 milionë njerëz në mbarë botën po shkojnë drejt urisë. Në vendin tonë, bujqësia ndodhet në vështirësi të mëdhe për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve bazë. Në studion e “Dita jonë” pedagogu Gjok Vuksani tha se kësaj krize i janë shtuar edhe 10% TVSH e të gjithë produkteve bujqësore që hyjnë në vend, të cilat para një viti ka qenë zero, si edhe kompensimi i tyre.

“Ne po përkeqësohemi me rritjen e çmimeve, situata është e vështirë. Ajo që është evidente është rritja e madhe e çmimeve të ushqimeve dhe kostos së prodhimit bujqësor që nga çmimi i naftës, rritje e çmimeve të inputeve bujqësore, të gjitha lëndët e para në bujqësi, rritje të gazit, do të kemi rritje të energjisë elektrike. Ka një kosto të shtuar. Kësaj krize i kemi shtuar 10% TVSH të gjithë produkteve bujqësore që hyjnë në vend që kanë qenë zero para një viti. Kemi një 10% plus. Qeveria ka hequr kompensimin e produkteve bujqësore, fermeri nuk merr asgjë mbrapsht si TVSH për produktet bujqësore, kemi vendosur taksën e gazit dhe i janë shtuar kostos së përgjithshme të krizës”.  

Vuksani sugjeron që në këto kushte zgjidhja nuk është ngritja e bordeve, por mbështetja dhe subvencionimi për bujqësinë. Sipas tij, një qeveri e përgjegjshme duhet të mendojë të rrisë prodhimin bujqësor pasi ekziston terreni dhe kushtet që vendi ynë të prodhojë dhe të dalë në treg të lirë.

“Të ulim koston e prodhimeve bujqësore, tregu të lihet i lirë. Në BE 40% e gjithë të ardhurave të taksave shkojnë për bujqësinë, ne duhet ta subvencionojmë që të jemi konkurrent me fqinjët tanë. Jemi në nivele shumë të ulëta të subvencionimit. Në kushte krize, një qeveri e përgjegjshme duhet të mendojë të rrisë prodhimin bujqësor, ne kemi shumë mundësi që mund të ecim. Turizmi dhe bujqësia janë dy shinat. Ne mund të dalim para fqinjëve me prodhime”.