Dërgohet për gjykim çështja e ish-kryetarit të Kushtetueses, Bashkim Dedja

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 15:03
Bashkim Dedja

Dërgohet për gjykim çështja e ish-kryetarit të Kushtetueses, Bashkim Dedja

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 15:03

Gjykata e Posaçme dërgoi për gjykim ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ai do të gjykohet për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie. Sipas SPAK, Dedja nuk justifikon në burime të ligjshme dy apartamente dhe një garazh. Ish-kryetari i Kushtetueses u shkarkua nga detyra nga Shkalla e Dyte e vetingut.

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi të kthejë në duart e SPAK dosjen penale në ngarkim të Dedjes. Gjykata vlerësoi në atë kohë se hetimi nuk ishte i plotë, se duhet të kryhej një akt i ri ekspertimi dhe për pyetjen e disa personave. Po sipas gjykatës, disa nga aktet ishin bërë të papërdorshme.

Vetë Dedja, përmes avokatit të tij Baftjar Rusi, i qëndroi kërkesës për pushim të akuzës, ose për plotësim të hetimit.

Prej disa muajsh tashmë, SPAK ka nën hetim 10 ish-anëtarë të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë të shkarkuar nga vetingu, që dyshohet se kanë pasuri të pajustifikuara. Deri më tani, gjykata ka sekuestruar një apartament të Bashkim Dedjes, një dyqan te Fatos Lulos, si edhe pjesën takuese të ish-gjyqtarit të Lartë Shkëlzen Selimi në një karburant në Vlorë, në gati 3 mijë m2 truall dhe një apartament.