Komision hetimor për Arjan Ndojën, Berisha: A është i përfshirë Rama në atentatin ndaj ish-prokurorit?

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 11:11

Komision hetimor për Arjan Ndojën, Berisha: A është i përfshirë Rama në atentatin ndaj ish-prokurorit?

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 11:11

Akuzat në sallën e Kuvendit nuk munguan as në seancën e së hënës. Sali Berisha kërkoi nga parlamenti ngritjen e një komisioni hetimor për deklaratat publike të ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili pretendon se ka fakte se kryeministri Edi Rama ka mbajtur kontakt me elemente të botës së krimit.

Sali Berishës iu deshën 10 minuta në foltoren e Kuvendit për të ngritur pesë akuza për mazhorancën. Në fjalën e tij, ish-kryeministri u ndal në disa çështje, që nga largimi i vendit në rrugëtimin integrues, rritjen e çmimeve, bllokimin e xhamisë së madhe të Tiranës e deri tek atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Madje për këtë të fundit, lideri i rithemelimit kërkoi një komision hetimor, duke ngritur pikëpyetje për përfshirjen e Edi Ramës.

“Kërkoj një komision urgjent hetimor parlamentar për dëshminë publike të prokurorit Arjan Ndoja i cili thotë se e kam të regjistruar kryeministrin, duke diskutuar me banda dhe banditë. Pra kishte gisht Edi Rama pas atij atentati? Kjo do hetim”, deklaroi Berisha.

Në përgjigje të Berishës, foli ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke përsëritur fjalët e shefit të saj në Asamblenë Socialiste.

“Ti nuk ke faj që flet për prokuror, për vrasje, për grabitje për sa kohë SPAK-u të sheh jo vetëm gjallë, por edhe me armën ngrehur, se ndryshe nuk ka sesi shpjegohet fakti që ende nuk je thirrur për të dhënë llogari”.

Seanca e së hënës ishte enkas për shqetësimet që deputetët kishin konstatuar gjatë takimeve me zgjedhësit, ku edhe çështja e vetëvrasjes në Kavajë u bë pjesë e diskutimeve parlamentare. Për këtë çështje, Berisha kërkoi një minutë heshtje, kërkesë e cila u respektua vetëm nga opozita në sallë.