Ukrainasit në kundërsulm, ushtria rimerr kontrollin e fshatrave pranë Kharkivit

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 13:47

Ukrainasit në kundërsulm, ushtria rimerr kontrollin e fshatrave pranë Kharkivit

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 13:47

Lufta në Ukrainë jep sinjalet për hyrjen në një fazë të re, me Ukrainën që hidhet në kundërsulm, duke rimarrë kontrollin e disa fshatrave pranë qytetit të Kharkivit, në veri të vendit.

Sipas një zëdhënësi të ushtrisë, Cherkaski Tishki, Ruski Tishki, Borshchova dhe Slobozhanske, ishin sërish në duart e ukrainasve. Analistë ushtarakë vlerësojnë se fushata e ushtrisë së Kievit në veri vijon me sukses, me trupat ruse që janë sprapsur me 10 kilometra.

Zelensky konfirmoi raportimet se trupat e tij kishin çliruar disa fshatra, por paralajmëroi se nuk ishte momenti për të bërtitur fitore: “Forcat e Armatosura të shtetit tonë na kanë dhënë lajme të mira nga rajoni i Kharkivit. Pushtuesit po sprapsen gradualisht nga atje. U jam mirënjohës të gjithë mbrojtësve tanë, të cilët po rezistojnë dhe po tregojnë forcë të mbinatyrshme për të larguar pushtuesit, dikur, ushtria e dytë më e madhe në botë”.  

Beteja vazhdon e ethshme në rajonin lindor të Donbasit, por Moska ka bombarduar edhe rajonet e Chernihivit në veri dhe Sumitit në verilindje. E vështirë situtata edhe në fabrikën e Azovstalit, në Mariupol, nga ku forcat e mbetura të rezistencës bëjnë thirrje për ndihmë. Sakaq, operatori i gazsjellësit natyral në Ukrainë njoftoi se do të pezullojë nga kjo e mërkurë dërgesat e gazit rus në Europë, nga një pikë e rëndësishme tranziti në lindje të Ukrainës.  

Vendimi, që shkaktoi shqetësim në kontinentin e vjetër, justifikohet me faktin se rusët po ndërhyjnë në procesin teknik duke rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë sistemit të transportit të gazit në Ukrainë. Ukraina tha se do të ndryshojë rrugën e dërgesave të gazit nga pika e tranzitit Sokranivka, zonë e kontrolluar nga forcat ruse, për në një zonë tjetër të kontrolluar nga Ukraina. Gjiganti i gazit natyror rus, Gazprom, tha se gazi që kalon përmes këtij tubacioni përbën një të katërtën e gazit që shkon për në Evropën Perëndimore.