“Mbret” për pak orë, princi Charles mban fjalimin e mbretëreshës Elizabet

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 17:33

“Mbret” për pak orë, princi Charles mban fjalimin e mbretëreshës Elizabet

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 17:33

Për herë të parë që nga viti 1963 nuk ishte mbretëresha Elizabet që hapi sesionin e ri parlamentar të Britanisë së Madhe. Fjalimi tradicional i mbretëreshës, me pikat e programit të qeverisë, u lexua në Westminister nga Princi Charles, i cili për pak orë mori rolin e një mbreti.

Mungesa e monarkes vjen si shkak i problemeve me lëvizshmërinë. Princi Charles, i shoqëruar nga bashkëshortja Camille, tha se Mbretëria e Bashkuar do të orientohet drejt energjisë së pastër, fuqizimit të ekonomisë dhe mbrojtjes së familjeve nga shtrenjtimi i kostos së jetesës.

“Lordë dhe anëtarë të Dhomës së Komunëve. Prioritetet e qeverisë së Madhërisë së saj janë të rrisin dhe fuqizojnë ekonominë, të ndihmojnë në lehtësimin e kostos së jetesës për familjet. Qeveria e Madhërisë së saj do të rrisë mundësitë në të gjitha pjesët e vendit për të mbështetur më shumë njerëz në punë. Ministrat e Madhërisë së saj do të vazhdojnë të mbështesin policinë për t’i bërë rrugët më të sigurta dhe të financojë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor për të reduktuar të infektuarit me Covid”, tha Charles.

Në fjalimin e rëndësishëm nuk mungoi Ukraina dhe garancitë për demokracinë në botë.

“Në këto kohë sfidash, qeveria e madhërisë së saj do të luajë një roj udhëheqës në mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë përreth botës, përfshirë vazhdimin e mbështetjes për njerëzit e Ukrainës”, shtoi princi.

Mbretëria e Bashkuara i shpalli luftë emigracionit të paligjshëm si dhe veprimtarive ilegale.

“Ministrat e Madhërisë së saj do të veprojnë për të parandaluar kalimet e rrezikshme dhe të paligjshme të kanalit si dhe të luftojë bandat kriminale që përfitojnë nga ndërmjetësimi në trafikun e qenieve njerëzore”, shtoi Charles.

Në fjalimin e mbretëreshës u paraqitën 38 ligjë në total, përfshirë masa për të rigjallëruar autostradat e Britanisë dhe ta shndërrojë distriktin financiar të qytetit të Londrës në një zonë më tërheqëse për investitorët globalë pas largimit nga Bashkimi Europian.

Princi Charles, i veshur me uniformën e tij të admiralit, lexoi agjendën e qeverisë në një fron, pranë të cilit ishin ulur dukesha Camille dhe Princi William, i dyti në radhën e trashëgimit të fronit mbretëror pas babait të tij.

Ceremonia nuk pati asnjë ndryshim nga radhët e kaluara, dhe në godinën parlamentare nuk mungoi dhe kurora e mbretëreshës teksa pallati mbretëror mbajti peng një ligjvënës, siç është traditë, deri në përfundimin e fjalimit.