Ronela Hajati “çel” Eurovision-in, elektrizon skenën me këngën “Sekret”

Publikuar më: 10/5/2022, ora 22:05

Ronela Hajati “çel” Eurovision-in, elektrizon skenën me këngën “Sekret”

Publikuar më: 10/5/2022, ora 22:05

Këngëtarja shqiptare Ronela Hajati ka elektrizuar skenën e Torinos me performancën e saj në gjysmëfinalen e parë të festivalit më të madh të muzikës europiane, Eurovision që po zhvillohet në vendin fqinj të Italisë.

Hajati ka kënduar e para, nga 17 këngëtarë që ishin parashikuar në natën e parë, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut me këngën e saj “Sekret”.

Në skenë, Ronela u shoqërua edhe nga trupa e baletit, pjesë e të cilës është edhe balerina e njohur shqiptare, Klaudia Pepa, tashmë një artiste e konfirmuar në Itali.

Koreografia e përgatitur prej muajsh, pavarësisht se është konsideruar si shumë e guximshme, u shoqërua me duartrokitje dhe flamuj shqiptarë që valëviteshin.

Kujtojmë se kënga me të cilën Shqipëria përfaqësohet në këtë festival është komentuar shumë në rrjet, një pjesë e të cilave e mbështesin për guximin dhe ritmet moderne, ndërsa pjesa tjetër e ka konsideruar këngën si një devijim nga tradicionalja.

Vetëm 10 nga 17 këngët që do të këndohen në gjysmëfinalen e parë, do të kalojnë në finalen e së shtunës.