Rusia intensifikon sulmet, vijon ofensiva në Azovstal

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 12:59
UKRAINA 10 MAJ frame 0 1280x720

Rusia intensifikon sulmet, vijon ofensiva në Azovstal

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 12:59

Rusia intensifikon sulmet në Ukrainë, duke shënjestruar qytetin jugor të Odesas. Tri raketa Kinzhal, pjesë e armëve të reja hipersonike të Moskës, u lëshuan nga një avion mbi një hotel në zonën e Odesës. 7 raketa të tjera goditën një qendër tregtare, sipas zëdhënësit të administratës ushtarake rajonale, i cituar nga CNN.

Qendra e portit historik u mbush me tym të dendur, por për shkak të shtetrrethimit gjatë natës, rrugët ishin të boshatisura. Bilanci paraprak flet për të paktën 1 viktimë dhe 5 të plagosur. Bombardimet në Odesa nuk u ndalën as gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, i cili u detyrua të kërkojë strehim në një zonë të sigurt.

Forcat ruse vijojnë sakaq ofensivën në metalurgjikun e Azovstalit në Mariupol, ku qindra luftëtarë ukrainas vazhdojnë të rezistojnë në breshërinë e bombave. 

Një këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit, tha se ushtria ruse rrethoi fabrikën pasi një autokolonë me ndihma humanitare e OKB, u largua nga rajoni i Donetsk.

Rusët u përpoqën të hidhnin në erë një urë që përdorej për evakuimit, për të bllokuar luftëtarët e mbetur në uzinë.

Autoritetet rajonale të Kharkiv, raportuan gjetjen e 44 trupave nën rrënojat e një pallati në zonën e Izum.

Luftime intensive vijojnë në lindje të vendit, me betejat më të rëndësishme qe po zhvillohen rreth Rubizhne dhe Bilohorivka në Donbas. Megjithatë, një zyrtar i lartë i mbrojtjes në SHBA, thotë se Moska ka shënuar progres të ngadaltë në lindje, pavarësisht kapjes së qytetit të Popasna.