Vizioni i Macron për Europën: Organizatë e re politike për shtetet joanëtare

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 10:49

Vizioni i Macron për Europën: Organizatë e re politike për shtetet joanëtare

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 10:49

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se mund të duhen dekada që Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe propozoi krijimin e një organizate të re politike për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.

Sipas vizionit të kreut të Elizesë, të cilin e shpalosi gjatë fjalimit në Strasburg me rastin e ditës së Europës, pjesë e këtij komuniteti të ri do të ishin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjia dhe Moldavia.

“Pyetja që ngrihet është: si duhet ta organizojmë Europën, në mënyrë politike që shkon përtej Bashkimit Europian. Është detyra jonë t’i përgjigjemi dhe të krijojmë atë që unë do ta quaja sot, “Komuniteti politik europian”. Kjo do të ishte një organizatë e re europiane që do të lejonte vendet demokratike që ndajnë vlerat bazë me ne, të gjejnë një hapësirë të re bashkëpunimi në fusha të ndryshme”, u shpreh Macron.

Sipas tij, një procedurë e përshpejtuar për Ukrainën, sikundër propozon presidentja e Komisionit Europian do të nënkuptonte ulje të standardit. Presidenti francez shtoi se anëtarësimi në këtë organizatë të re nuk do të garantonte bashkimin e ardhshëm me bllokun.

Ideja u mirëprit nga kancelari gjerman, Olaf Sholc, i cili priti në Berlin kreun e Elizesë mbrëmjen e 9 majit. Lideri gjerman u përcolli vendeve të Ballkanit Perëndimor mesazhin se u qëndrojnë premtimit për anëtarësimin e tyre, ndërsa kërkoi tejkalim të bllokadave në emër të përgjegjësisë europiane dhe interesave strategjike.

“Këtë mbrëmje, duam t’i përcjellim një sinjal të rëndësishëm vendeve në Ballkanin Perëndimor. Ne i qëndrojmë premtimeve për anëtarësimin e tyre. Bllokadat që ekzistojnë duhet të tejkalohen në emër të përgjegjësisë europiane dhe arsyeve strategjike”.