Zgjedhja e Presidentit, Boçi: Rama po tallet me të gjithë, e ka në kokë emrin

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 16:03

Zgjedhja e Presidentit, Boçi: Rama po tallet me të gjithë, e ka në kokë emrin

Përditësuar më: 10/5/2022, ora 16:03

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, thotë se Kryeministri Edi Rama e ka vendosur tashmë se kë do të zgjedhë për President të Republikës. Ai kritikoi kolegun e tij demokrat, Enkelejd Alibeajn, se po bëhet palë në këtë proces.

“Nga një anë e cilëson grabitës dhe hajdut dhe ulet të caktojë Presidentin me një grabitës dhe hajdut. Alibeaj duhet të sillet sipas pozicionin që i kanë dhënë demokratët, jo sipas pozicionit që i jep Rama. Ne nuk do të pyesim zotin Rama apo zotin Balla se kë kemi kryetar grupi parlamentar”, tha Boçi.

Sipas Boçit, “Rama po tallet me të gjithë”. “Ai emrin e ka në kokë. E ka deklaruar që i ka votat dhe nuk do ta zgjedhë nga opozita. Ai nuk do president të fortë. Edhe ato pak kompetenca që ka presidenti, nuk do t’i ushtrojë një person i fortë, sepse nuk do ta kundërshtojë për nismat e veta, si Ballkani i Hapur apo legalizimi i kanabisit. Balla dhe Rama nuk duan opozitë fare, duan të kenë Skënder Gjinushin opozitë”.

Megjithatë, Boçi tha se në seancën e 16 majit, opozita nuk do të mungojë. “Koha e bojkoteve dhe pazareve ka marrë fund. Do të jemi në sallë, do të shprehim qëndrimin tonë. Por nuk mund të jetë pranues, sepse nga ky proces do të dalë një president “alla” Rama, që do t’i bindet”.