E pakënaqur me bashkitë, Qeveria centralizon furnizimin me ujë

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 17:09

E pakënaqur me bashkitë, Qeveria centralizon furnizimin me ujë

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 17:09

Qeveria vendosi të centralizojë furnizimin me ujë të qytetarëve, duke ja hequr menaxhimin bashkive duke e kaluar pranë AKUM, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Ministrja Balluku shpjegoi se pjesë e këtij transformimi do të jetë kalimi nga 61 në 15 ujësjellës.

“Kjo do të jetë një reformë e thellë në sistemin e ujësjellësve. Nuk kemi qenë të kënaqur me performancën dhe menaxhimin e pushtetit vendor. Do të nisim një agregim të sistemit të ujësjellësve, nga 61 me 15 ujësjellës qendrorë që të mirëmenaxhojnë burimet dhe financat”, tha ministrja Balluku pas mbledhjes së qeverisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aksioneri mazhoritar në secilën prej këtyre 15 ndërmarrjeve, që do të monitorojë aktivitetin financiar të tyre.

Mes vendimeve të qeverisë ministrja njoftoi edhe një ndryshim në marrëveshjen e huas për mirëmbajtjen e digave në kaskadën e Drinit. Qeveria kaloi edhe miratimin e kontratës koncensionare për projektin e ndërtimit dhe mirëmbajtjen e Triportit të Vlorës.