Fitimi i bankave, rriten të ardhurat nga interesat dhe komisionet

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 10:47

Fitimi i bankave, rriten të ardhurat nga interesat dhe komisionet

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 10:47

Bankat kanë realizuar fitime rekord nga interesat e kredive këtë fillimvit. Banka e Shqipërisë raporton të ardhura neto nga interesi prej 12,1 miliardë lekësh, apo mbi 100 milionë euro, kur ndërkohë në vitet e shkuara nuk i kishin kapërcyer 10,9 miliardë lekë për tremujorin e parë.

Rritja e vazhdueshme e kërkesës për kredi, veçanërisht asaj për banesa nga individët dhe ato për likuiditet nga bizneset, mbështetur edhe nga garancitë sovrane, kanë rritur stokun e kredisë që menaxhon sot sistemi. Ndërsa Banka Qendrore raporton edhe një ulje tjetër të kredive me probleme, në nivelin e 5,24% në fund të marsit.

Ndërkohë, në një moment kur qeveria i kërkon bankave të heqin komisionet për blerjen e biletave të transportit, sistemi ka shënuar rritje të të ardhurave që realizon pikërisht nga komisionet dhe gjobat. Komisionet që qytetarët dhe bizneset janë të detyruar të paguajnë në sportelet e bankave për veprime apo mospagesa në kohë sollën 3,2 miliardë lekë të ardhura në sistemin bankar, nga 2,9 miliardë lekë vitin e shkuar.

Ndërkohë, bankat kanë investuar më shumë në letrat me vlerë të qeverisë, duke përfituar nga rritja e interesave, duke rezultuar në bilanc me humbje në zërin e instrumentave financiare. Ndërsa shënohet një rritje e shpenzimeve për pagat e punonjësve dhe ato operative.

Pas taksave dhe zërave të jashtëzakonshëm, 12 bankat në vend raportuan një fitim neto prej 3,2 miliardë lekësh apo 27 milionë eurosh. Kjo pas një fitimi rekord të vitit të shkuar prej 180 milionë eurosh.