“Hotel Dajti”, Guvernatori i BSH zbulon kur do të përfundojë restaurimi

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 16:21
HOTEL DAJTI

“Hotel Dajti”, Guvernatori i BSH zbulon kur do të përfundojë restaurimi

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 16:21

Godina historike e “Hotel Dajtit”, e klasifikuar si monument i trashëgimisë kulturore, prej mbi tre vitesh ka qenë në rikonstruksion, për ta kthyer në shërbim të nevojave të Bankës së Shqipërisë. I pyetur nga deputetët në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Gent Sejko zbuloi datën se kur ndërtesa do të jetë gati.

“Kanë mbaruar rreth 85% e punimeve, është afër përfundimit. Ne parashikojmë që objektin e dytë të Bankës së Shqipërisë ta mbyllim brenda këtij viti. Shtatori është objektivi që ne parashikojmë të fusim punonjësit tanë”, u shpreh Sejko.

Sipas Sejkos, tërmeti, pandemia dhe rritja e çmimeve janë kthyer në pengesa që kanë zvarritur procesin e rindërtimit. Kjo pasi vetë godina pati edhe dëme, që duheshin riparuar dhe përforcuar.

Banka e Shqipërisë e bleu ish-Hotel Dajtin në vitin 2010 për një vlerë prej 4.1 miliardë lekësh, nisur nga nevoja për të zgjeruar hapësirat në dispozicion të bankës qendrore.

Në shtator, një pjesë e punonjësve të BSH do të zhvendosen në zyrat në këtë objekt, ndërsa kati i parë, ku do të gjendet një librari e madhe, do të jetë i hapur për publikun. Godina është ndërtuar rreth viteve ’30, nga arkitekti italian Gherardo Bosio dhe për shumë kohë kjo ndërtesë vlerësohej si hoteli më modern i Ballkanit.