Negociatat për Presidentin, Balla fton sërish grupet opozitare: Pa votat e PS askush nuk zgjidhet

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 16:32

Negociatat për Presidentin, Balla fton sërish grupet opozitare: Pa votat e PS askush nuk zgjidhet

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 16:32

Pesë ditë para raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Partia Socialiste ftoi grupimet parlamentare në Kuvend për të diskutuar, tanimë me emra konkret.

“Të diskutojmë për kriteret, të diskutojmë për profilin që në duam të ketë presidenti i republikës, por natyrshëm të diskutojë me emra konkretë. Janë të mirëpritur përfaqësuesit e opozitës”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, reagoi edhe për vendimin e Komisionit të Rithemelimit i cili mandatoi Oerd Bylykbashin dhe Luçiano Boçin për të negociuar me grupimet opozitare për emrin e Presidenti të Republikës. Sipas Ballës, çdo lëvizje e tillë do të ishte e panevojshme pasi pa PS-në asnjëra palë nuk bën dot numrat për ta votuar.

“Asnjë grup tjetër apo të gjitha të marra së bashku nuk mund ta zgjedhin presidentin veçmas. Presidenti mund të zgjidhet vetëm duke bashkëpunuar me partinë socialiste”, u shpreh Balla.

E para që iu përgjigj kësaj ftese ishte Mesila Doda e cila u shpreh se grupi parlamentar që ajo përfaqëson, do të ulet në tryezë dialogu me socialistët, edhe nëse pjesa tjetër e opozitës vendos ta bojkotojë.

“Nuk duhet të ketë procese bojkoti dhe nuk duhet të ketë parakushte mendoj unë”, tha Mesila Doda.

Deklaratat u bën pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku u diskutua edhe miratimi i një rezolute për të dënuar genocidin serb në Bosnje-Hercegovinë.