Rama i përgjigjet ambasadores Kim: Nuk është presion të kërkosh hetimin e një personi “non grata”

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 10:27

Rama i përgjigjet ambasadores Kim: Nuk është presion të kërkosh hetimin e një personi “non grata”

Përditësuar më: 11/5/2022, ora 10:27

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Socialiste, duke folur për Reformën në Drejtësi, iu përgjigj ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila u shpreh se “do ta dimë që reforma në drejtësi ka qenë e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij, të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë”.

Kryeministri Edi Rama tha se nuk është presion të kërkosh hetimin e një njeriu të shpallur “non grata”, sidomos kur e bën “një vit pas kësaj shpalljeje dhe pasi Sekretari Amerikan i Shtetit ka deklaruar se institucionet e vendit tonë duhet të bëjnë punën e tyre”.

“Si njeriu që është sulmuar më shumë për këtë reformë, jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe mbështetësit e tij, unë besoj që të drejtën për të ndarë mendimin tim për punët e drejtësisë së re, nuk ma heq askush. Kujtoj se i kemi mbështetur të gjitha veprimet dhe vendimet e SPAK-ut, pa ekuivok dhe pa komente; kujtoj se e kemi bërë të qartë qysh në krye të herës se për ne nuk ka të paprekshëm dhe se çdokush në radhët tona, që me drejtësinë ka llogari të hapur, derën e kësaj partie e ka të mbyllur; kujtoj gjithashtu se nëse sot, ish-ministra, ish-deputetë apo ish-kryebashkiakë që tani janë prapa hekurave, ky është vetëm rezultat i një fakti shumë kokëfortë, që është se as unë dhe askush nga ne, nuk jemi angazhuar në rrugën e kësaj reforme për ta përdorur politikisht drejtësinë dhe as për të sulmuar politikisht kundërshtarët politikë, siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë”, tha Rama.

“Siç nuk kishte ndodhur në 500 vjet, nuk do të kishte ndodhur as këto 5 vjet që një prokuror të hetonte figura të larta në oborrin e partisë në pushtet. Prandaj, garancia se drejtësia mund të hyjë lirisht në oborrin e Partisë Socialiste jemi ne, lidershipi i kësaj partie. Kjo është çështje zgjedhjeje dhe jo imponimi nga dikush, nga Amerika apo Europa. Kjo është zgjedhje që ne e kemi bërë si detyrim për fëmijët tanë. Ia kemi hyrë detit në këmbë kur askush nuk e besonte se do t’ia dilnim ta kalonim reformën. Ta kenë të qartë të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, se kjo parti është i vetmi subjekt që as nuk i ka bërë, as nuk i bën dhe as nuk do t’i bëjë ndonjë presion drejtësisë”, shtoi kryeministri.