Vrasja e babë e bir, rrëfehet i penduari: Porosi nga Çapja, thanë kemi shtetin pas vetes

Publikuar më: 11/5/2022, ora 14:15

Vrasja e babë e bir, rrëfehet i penduari: Porosi nga Çapja, thanë kemi shtetin pas vetes

Publikuar më: 11/5/2022, ora 14:15

“Para se të filloj dua t’i kërkoj ndjesë familjes së viktimave, në veçanti nënës”. Me këtë fjali zuri fill dëshmia më shumë se 2-orëshe e të penduarit të drejtësisë Ervis Bardhi në Gjykatën e Posaçme.

Bardhi akuzohet si një nga autorët e vrasjes së Nezir e Gentian Beqiri, babë e bir, në vitin 2012 në Elbasan, krim që sipas SPAK u porosit nga Ardian Çapja. Para gjykatës i penduari rrëfeu se Gentian Beqirin e kishte njohur në burgun e Peqinit dhe muaj më vonë, bashkë me të pandehurin Olsi Leku, ishin vizitorë te herëpashershëm në banesën ku Beqiri ishte në “arrest shtëpie”.

Takimin e parë me Ardian e Florenc Çapjen Bardhi tha se e kishte pasur pranë shtëpisë së tyre, ku kishte shkuar me bashkë me të pandehurit Etjen Canin, Klajdi Dokollin dhe Olsi Leku dhe iu ishte dhënë një pistoletë me silenciator dhe 2500 euro.  Porosia për vrasjen, sipas tij ishte bërë në takimin e dytë, i zhvilluar në zonën e Kërrabës, në aksin e vjetër Tiranë-Elbasan.

“Aty kam parë Ardianin me armë në brez. Më tha mua, duhet të hipësh atje lart, duke iu referuar shtëpisë së Gentian Beqirit. Ai duhet vrarë një orë e më parë. Unë i thashë, të hipë Etieni. Më tha, do hipësh ti dhe vrasjen do e bësh ti. Ndërhyri dhe Florenc Çapja. Duke mu drejtuar tha, je me ne, apo kundër nesh? Ardiani i tha Olsi Lekës, mos e keni problem për lekët. Ju jap unë 50 mijë euro. Unë u shtanga, nuk doja të isha pjesë fare e kësaj. Florenci shtoi, ne i kemi punët mirë, e kemi pas vetes edhe shtetin, edhe policinë”, tha Ervis Bardhi.

I penduari tregoi se më pas me Olsi Lekun kishin vijuar vizitat tek Gentian Beqiri, ndërkohë që kishin blerë nje mjet dhe vjedhur një palë targa të tjera në Tiranë. Sipas tij, duke planifikuar se nuk do të linin dëshmitarë, në shtëpinë ku Gentian Beqiri ishte në “arrest shtëpie”, vepruan në një moment që nëna e tij nuk ishte. 

“U përballëm me babain e Gentianit në sheshpushimin e pallatit. Unë vazhdova. I rashë lehtë derës, por pastaj e pashë që ishte hapur. Olsi zbriti mori të atin. U futa në shtëpi. Gentiani ishte shtrirë. Sa lëvizi pak unë e qëllova me plumb në faqe. Aty m’u bllokua arma. Në panik edhe për shkak se kisha konsumuar kokainë dhe alkool, e zhbllokova armën dhe qëllova tre herë të tjera, bam-bam-bam. Mbrapa pashë Olsin që po përleshej me plakun. E shtriu në tokë duke e qëlluar me grushte e shkelma mes derës së banjos e asaj të korridorit. Pastaj mori një jastëk, ia ngjeshi në fytyrë dhe i dha fund”, rrëfen Bardhi.

Deklarimet e Bardhit hasën në kundërshtimin e vijueshëm të të pandehurit Çapja, që nga kafazi i sallës iu drejtua disa herë gjykatës, duke thënë se i penduari po gënjtente.Të pandehurit e këtij procesi penale, Ardian Çapja, Florenc Çapja, Olsi Leka, Klajdi Dokoli e Etjen Cani akuzohen për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “grup të strukturuar kriminal”.