A po e ndjen SPAK-u presionin? Kraja: Do të vazhdojmë punën pavarësisht të gjithave

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 12:21
kraja 1280x720

A po e ndjen SPAK-u presionin? Kraja: Do të vazhdojmë punën pavarësisht të gjithave

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 12:21

Gjatë raportimit vjetor përpara KLP-së, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja, u pyet nëse institucioni që ai drejton ndihet nën presion nga retorika politike e ditëve të fundit.

“Të gjithë prokurorët dhe BKH janë të ndërgjegjshëm që punojnë në institucionin më të rëndësishëm. Pa diskutim do të ketë opinione, do të ketë presione. Janë jashtë nesh të gjitha. E rëndësishme për ne është të jemi korrekt me zbatimin e ligjit. Kemi bërë një mbledhje. I kam thënë gjithë trupës: vazhdoni punën, vlerësoni provat”, tha Kraja.

Deklaratat e Krajës vijnë një ditë pas konferencës së gjatë për shtyp ku kryeministri Edi Rama foli gjatë për Reformën në Drejtësi dhe theksoi se askush nuk ia heq dot të drejtën për të dhënë mendimin e tij “për punët e drejtësisë së re”.

“Si njeriu që është sulmuar më shumë për këtë reformë, jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe mbështetësit e tij, unë besoj që të drejtën për të ndarë mendimin tim për punët e drejtësisë së re, nuk ma heq askush. Kujtoj se i kemi mbështetur të gjitha veprimet dhe vendimet e SPAK-ut, pa ekuivok dhe pa komente; kujtoj se e kemi bërë të qartë qysh në krye të herës se për ne nuk ka të paprekshëm dhe se çdokush në radhët tona, që me drejtësinë ka llogari të hapur, derën e kësaj partie e ka të mbyllur; kujtoj gjithashtu se nëse sot, ish-ministra, ish-deputetë apo ish-kryebashkiakë që tani janë prapa hekurave, ky është vetëm rezultat i një fakti shumë kokëfortë, që është se as unë dhe askush nga ne, nuk jemi angazhuar në rrugën e kësaj reforme për ta përdorur politikisht drejtësinë dhe as për të sulmuar politikisht kundërshtarët politikë, siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë”, deklaroi Rama.