Borrell takon liderët e rajonit, “Ballkani Perëndimor, politika e jashtme më e rëndësishme e BE”

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 12:11

Borrell takon liderët e rajonit, “Ballkani Perëndimor, politika e jashtme më e rëndësishme e BE”

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 12:11

Ballkani Perëndimor mbetet përparësi strategjike e bllokut dhe është “politika e jashtme më e rëndësishme” për të. Kështu u shpreh shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell në nisje të darkës jo formale me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Në krye të agjendës së bisedimeve ishte situata në rajon pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. “Ballkani Perëndimor nuk është oborri ynë i pasmë, por oborri ynë, dhe ne dëshirojmë që të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike.  Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të (Vladimir) Putinit, një luftë jo legale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, deklaroi Borrell.

Borrell përgëzoi partnerët në Ballkanin Perëndimor që kanë mbështetur sanksionet e BE-së kundër Rusisë, ndërsa u bëri thirrje të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina mbetën dy vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë refuzuar vendosjen e masave ndëshkimore për Moskën.

Zoti Borrell shfaqi shqetësimet për situatën në Bosnjë-Hercegovinë duke theksuar se “nuk ka hapësirë për cenimin e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”. Sakaq Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic, u shpreh i shqetësuar për aplikimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar kundërpërgjigje nga Serbia.

 “Është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe për të destabilizuar Serbinë. Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë është e qartë se për ta nuk ekziston as marrëveshja e Brukselit, as marrëveshja e Uashingtonit, as Rezoluta 1244 dhe se do ta shfuqizojnë plotësisht rendin juridik ndërkombëtar”, deklaroi presidenti serb.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk e përmendi çështjen e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe e vuri theksin te nevoja për integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian.