Incidentet në derbi, jepet dënimi për Partizanin

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 14:14
partizani tifozet 1 1280x720

Incidentet në derbi, jepet dënimi për Partizanin

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 14:14

Incidentet e dhunshme në derbin e fundjavës së kaluar, ku tifozët e Partizanit u përfshinë në sherre me rivalët e Tiranës, ka sjellë edhe ndëshkimin e skuadrës së kuqe.

Komisioni i Disiplinës vendosi që Partizani të luajë 4 ndeshje pa spektatorë dhe 100 000 lekë gjobë, duke qenë se mban edhe përgjegjësinë si klubi organizator i derbit.

Por, në fakt Disiplinori i ka toleruar kryeqytetasit, sepse duke shfrytëzuar nenin 32 dhe nënpikat e tij, dënimi me pezullim do të jetë me kusht. Kjo do të thotë që Partizani do të luajë vetëm dy ndeshje pa tifozë, teksa dy ndeshjet e tjera bëhen efektive vetëm nëse në gjashtë muajt në vijim, mbështetësit do të shkaktojnë të tjera incidente.

Tifozët e Partizanit ndalohen prej transfertës me Egnatian në Rrogozhinë dhe në ndeshjen në shtëpi me Kastriotin. Të kuqtë do të kenë mbështetjen e spektatorëve vetëm në javën e fundit të kampionatit, ku do të luajnë në Laç.

Klubi detyrohet gjithashtu të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara në stadiumin “Elbasan Arena”. Pjesën e saj të dëmtimeve duhet ta dëmshpërblejë edhe Tirana, me bardheblutë që gjithsesi kanë evituar ndeshjet pa tifozë, por janë gjobitur me 200 000 lekë.