Pa barriera, Ballkani Perëndimor kërkon pozicionim në hartën botërore të turizmit

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 16:40

Pa barriera, Ballkani Perëndimor kërkon pozicionim në hartën botërore të turizmit

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 16:40

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin; ato duhet të synojnë të pozicionojnë rajonin në hartën e madhe të turizmit botëror. Ndonëse nuk shquhen si fqinjët që bien gjithmonë dakord, në këtë pikë ministrat e turizmit të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Bosnje-Hercegovinës bashkohen të gjithë.

“Një pyetje e hapur na drejtohet të gjithëve ne. Si ta pozicionojmë Ballkanin Perëndimor në hartën botërore të turizmit? Hapi i parë është heqja e barrierave. Mundësimi i lëvizjes së lirë të njerëzve në rajon. Marrëveshja e lëvizjes së lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, dhe marrëveshja e lëvizjes së lirë për qytetarët e vendeve të treta brenda Ballkanit Perëndimor janë gati për t’u firmosur dhe do japin një shtysë të re për turizmin”, u shpreh Majlinda Bregu.

Për Tatjana Matiç, Ministre e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë dhe Aleksandra Gardashevic-Slavuljica, Drejtoreshë e Përgjithshme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Malit të Zi, bashkëpunimi duhet të shkojë edhe më tej.

“Dhe në fund ne duhet të shohim njëri-tjetrin realisht si partnerë. Ne duhet të kemi një platformë të përbashkët dhe unike për ofertën turistike. Kjo është mundësia e madhe për ne”, tha Tatjana Matiç, ministre e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i veçantë dhe mund të ofrojë shumë në drejtim të turizmit për qytetarët nga Europa Lindore, Jugore apo për vendet skandinave. Pritshmëritë e tyre janë rritur. Ata nuk vijnë më vetëm për dy javë në Serbi, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë apo Malin e zi. Ata duan të zhvillojnë tyre dhe ne duhet ta mundësojmë këtë”, deklaroi Aleksandra Gardashevic-Slavuljica, Drejtoreshë e Përgjithshme në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit të Malit të Zi.

Ndërsa Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro kërkoi që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të synojnë tanimë pushuesit elitarë, duke u fokusuar te cilësia e jo numrat.

Konferenca Ndërministrore për Zhvillimin e Turizmit në Ballkanin Perëndimor, e titulluar, “Heqja e Barrierave për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit” u mbajt të enjten në Tiranë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.