Reagon Rusia: Hyrja e Finlandës në NATO rrezikon sigurinë e Europës

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 14:24

Reagon Rusia: Hyrja e Finlandës në NATO rrezikon sigurinë e Europës

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 14:24

Hyrja e Finlandës në NATO përfaqëson një rrezik për Rusinë dhe nuk do të ndihmojë për stabilitetin dhe sigurinë e Europës. Kështu ka reaguar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov,  ndaj njoftimit të Helsikinit për të paraqitur kërkesën e anëtarësimit në aleancën ushtarake.

Moska paralajmëron se do të reagojë në mënyrën më të vendosur të mundshme ndaj të gjithë atyre që do të tentojnë të përfshihen në Ukrainë dhe të pengojnë operacionin ushtarak.

“Të gjithë duan të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s’, tha Peskov. Por për zëvendëspresidentin e këshillit të sigurisë në Rusi, Dmitri Medvedev, armatosja e Ukrainës, trajnimi i trupave të saj nga vendet e NATO-s dhe dërgimi i mercenarëve, po e rrit mundësinë e një konflikti të gjerë.

“Në një konflikt të tillë ekziston gjithnjë rreziku i përshkallëzimit në një luftë të plotë bërthamore. Do të ishte një skenar katastrofik për të gjithë”, deklaroi Medvedev.

Sakaq, Ukraina do të zhvillojë procesin e parë gjyqësor për krime lufte lidhur me agresionin rus, kundër një ushtari 21-vjeçar i cili akuzohet se ka vrarë me armë zjarri një civil të paarmatosur. Nisja e procesit të parë gjyqësor të këtij lloji njoftohet ndërsa lufta ka hyrë në ditën e 78-të.

Trupat e Putinit po bllokojnë daljet nga tunelet nëntokësore të impiantit metalurgjik të Azovstal në Mariupol, ku gjenden luftëtarët e mbetur të rezistencës. Sipas kryebashkiakut të Mariupolit kishte qenë një tradhtar që u kishte dhënë informacione pushtuesëve mbi pikat e daljes.

Komandanti i batalionit Azov i bën thirrje sipërmarrësit miliarder Elon Musk, t’i ndihmojë të dalin nga uzina. “Vetëm ti mund ta bësh”, ishte thirrja e tij.