Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Rezoluta për Srebrenicën, Berisha: Vucic një Putin i ri, frymëzues i gjenocidit. Replikon Balla: "Ti i ke shitur karburant"

Nga A2 CNN
12 Maj 2022, 11:21 | Politikë
Rezoluta për Srebrenicën, Berisha: Vucic një Putin i ri,

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndërhyrë në Parlament duke mbështetur propozimin e një rezolute të  OKB-së që të detyrojë Beogradin për njohjen e gjenocidit nga ana serbe në Bosnjë-Hercegovinë.

Duke kujtuar tragjedinë e ndodhur veçanërisht në Srebrenicë në korrikun e vitit 1995, ku më shumë se 8 mijë boshnjakë u vranë në pak ditë nga forcat pro-serbe në Bosnjë, Berisha shtoi se “njohja e gjenocidit është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara. Ata që nuk e njohin, kanë ndërgjegje parahistorike. Njohja e gjenocidit është një kusht që mos të përsëritet më. Nuk ka asnjë synim ndëshkimor ndaj gjeneratës serbe të sotme, por padyshim udhëheqësit e sotëm janë arkitektët e këtij gjenocidi. Aleksander Vucic është regjistruar duke thënë që për çdo serb duhet të vdesin 100 myslimanë. Ne kemi detyrim madhor për të dënuar gjenocidin, i sanksionuar në Hagë dhe në Gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Kemi të bëjmë me gjenocid të pranuar nga mbarë vendet e qytetëruara”.

Ish-kryeministri sulmoi direkt presidentin serb Aleksandër Vucic, duke thënë se “në rast se Ballkani ndodhet sot në këtë situatë, nëse nuk ecën drejt Bashkimit Europian, një nga shkaqet është qëndrimi i gabuar i komunitetit ndërkombëtar ndaj Aleksander Vucic. Ai është frymëzues i gjenocidit serb, ky njeri është një Putin i vogël i gatshëm t’i përsërisë atë në çdo kohë. Shqipëria ka marrëdhënie miqësore me Bosnjën, ju ftoj të votojmë këtë rezolutë si një detyrim i një populli të martirizuar, duke detyruar Serbinë të njohë krimet e saj dhe që të ta bazojë te paqja dhe jo mbi armët ruse dhe kineze bashkëpunimin”.

Taulant Balla replikoi ashpër me kryeministrin duke thënë se “Shqipëria e njeh tragjedinë në Bosnjë, dhe ka përshëndetur çdo dënim mbi organizatorët e kësaj tragjedie. Tragjedia ka ndodhur në vitin 1995. Është e pakuptueshme që një njeri që është i vetmi në këtë sallë që kanë përgjegjësi direkte të turpit që ka marrë Shqipëria e asaj kohe. Gjenocidi serb është ushqyer me naftën prej teje, Sali. Më 25 prill të vitit 1995, tre muaj para masakrës, New York Times, prezanton një raport të zëvendëspresidentit amerikan Al Gore ku thuhet që Shqipëria po furnizon me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnjë, duke thyer embargon”.

Ish-kryeministri Berisha replikoi se ai ka qenë i pari që ka respektuar embargot, përveç atij të furnizimit të armëve për Bosnjën dhe Kroacinë. Parlamenti rrëzoi me vota kërkesën për rezolutë, duke shkaktuar cilësimin e Berishës se parlamenti “votoi me urdhër të Vucic”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli