“U hap një kapitull i ri”, Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Europës

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 18:44

“U hap një kapitull i ri”, Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Europës

Përditësuar më: 12/5/2022, ora 18:44

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Europës. Kërkesën e dorëzoi vetë ministrja e jashtme dhe e diasporës, Donika Gërvalla, në Strasburg të Francës. Zyrtarja e qeverisë së Kosovës u shpreh optimiste lidhur me anëtarësimin e plotë të vendit në Këshillin e Europës.

“Kosova është vendi më demokratik në rajon, vendi më proevropian në rajon dhe vendi më optimist në rajon. Prandaj Kosova meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës sa më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe këtë në forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasjes së tyre në instanca evropiane”, tha Donika Gërvalla, ministre e Jashtme dhe e Diasporës.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë. Organizmi mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe pakicat kombëtare. Këshilli i Europës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore. Rusia u përjashtua së fundmi nga kjo organizatë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.