Më pak martesa dhe lindje, pastori ngre nevojën për mbështetje për familjet

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 12:46

Më pak martesa dhe lindje, pastori ngre nevojën për mbështetje për familjet

Përditësuar më: 13/5/2022, ora 12:46

Shqiptarët po martohen më vonë dhe po lindin më pak fëmijë, duke nxitur një krizë demografike që element kryesor ka edhe emigracionin.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për tre muajt e parë të vitit, në vend lindën 6 056 fëmijë, ndërsa numri i vdekjeve ishte ndjeshëm më i lartë, në 7 983.

Sipas pastorit Akil Pano, shpopullimi është rreziku kryesor social që i kanoset vendit dhe vjen pjesërisht nga pasiguritë. Pastori, themelues i Koalicionit Shqiptar për Mbrojtjen e Familjes, deklaron se nevojitet një paketë e plotë ekonomike dhe sociale për të ndihmuar familjet shqiptare dhe se shumë shpejt do t’i drejtohet Kuvendit me një propozim, sipas modeleve më të mira të ndjekura në Europë.

Në harkun kohor të një dekade, numri i martesave për 1 000 banorë ka rënë nga 8,7 në vitin 2010, në 6,2 në vitin 2020, duke zgjatur njëkohësisht moshën e martesës për meshkujt dhe veçanërisht për femrat. Në rënie është edhe numri i pritshëm i fëmijëve të lindur për çdo grua.

Prej tre vitesh qeveria akordon një bonus bebeje për çdo fëmijë të sapolindur, politikë që nuk ka rezultuar efikase. Ndërsa në vendet e rajonit si Hungaria aplikohen politika të tilla si ulje taksash për familjet me fëmijë, bonus mujor për 2 vitet e para të çdo martese, bonus bebeje, kredi të butë për shtëpi, bonus mujor për çdo fëmijë deri në moshën 2-vjeçare, më shumë leje vjetore për prindërit, fond investimi për fëmijët dhe shërbime të tjera falas ose me kosto më të ulët.